image Conte "thumbon" Interin kur pyetet pse nuk qëndroi gjatë tek klubet e mëparshme - Sinjali

Conte “thumbon” Interin kur pyetet pse nuk qëndroi gjatë tek klubet e mëparshme

news image

Trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte bëri disa komente se pse ai nuk qëndroi gjatë në klubet e mëparshme, të cilat disa i lexuan si një “thumbim” ndaj Interit.

Trajneri foli sot në një konferencë për shtyp, teksa sezoni i Premierligës nis këtë fundjavë.

Ai u pyet pse në përgjithësi nuk qëndron në klube për më shumë se dy ose tre vjet në karrierën e tij dhe nëse kjo mund të ndryshojë në Tottenham.

“Mendoj se para së gjithash, duhet të qëndroj mirë në klub. Më pëlqen gjithmonë ndershmëria”, u përgjigj Conte.

“Nëse më thua një gjë, atëherë duhet ta respektosh këtë. Përndryshe nuk më pëlqejnë njerëzit që më thonë një gjë në fillim dhe gjatë sezonit ose pas një viti apo dy vitesh ndryshojnë situatën.

Nuk më pëlqen kjo. Më pëlqejnë njerëzit e ndershëm dhe gjithashtu nëse duhet të më thonë të vërtetën e keqe, ajo duhet të jetë e vërteta, jo një gënjeshtër e mirë. Sepse nëse më thua një gënjeshtër të mirë, nuk do të kesh shumë jetë me mua, sepse i urrej gënjeshtrat dhe i urrej gënjeshtarët“, u shpreh italiani.

Conte fitoi titullin e Serie A me Interin në sezonin e tij të dytë, por më pas e ndërpreu kontratën e tij herët dhe u largua vetëm disa javë më vonë.

Ai kishte argumentuar në atë kohë se situata kishte ndryshuar për sa i përket ambicieve, sepse Interi ishte në një situatë të vështirë financiarisht dhe duhej të shiste disa lojtarë kyç, përfshirë Romelu Lukakun dhe Achraf Hakimi dhe nuk mund të investonte shumë as për zëvendësime.

Simone Inzaghi e trashëgoi rolin, duke fituar Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë, duke përfunduar i dyti në Serie A dhe duke arritur në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve.

/GazetaSinjaliSport/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: