image CNN: Suksesi më i madh i Albrightit ishte ndërhyrja në Kosovë për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve - Sinjali

CNN: Suksesi më i madh i Albrightit ishte ndërhyrja në Kosovë për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve

news image

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Familja e saj kanë njoftuar se Albright ka vdekur shkaku i kancerit.

CNN thotë se suksesi më i madh në rrafshin ndërkombëtar i Albrightit ishte ndërhyrja në Ballkan, gjegjësisht në parandalimin e një gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

“Përpjekja më e dukshme e saj ishte që t’i jep fund dhunës në Ballkan dhe ajo ishte vendimtare në shtyrjen e presidentit amerikan, Bill Clintonit që të ndërhynte në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar një gjenocid kundër myslimanëve etnikë shqiptarë nga ish-udhëheqësi serb, Slobodan Millosheviq”.

Shpërbërja e Jugosllavisë komuniste në disa shtete të pavarura, duke përfshirë Serbinë dhe Malin e Zi, Slloveninë, Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë, në vitet 1990 gjeneroi gjakderdhje të egër të paparë në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan mediumi amerikan.

Termi “spastrim etnik” u bë sinonim i Bosnjës, ku forcat serbe besnike të Millosheviqit u përpoqën të krijonin një shtet të veçantë duke dëbuar popullsinë civile jo-serbe.

Administrata e Clintonit nuk ndërhyri deri në masakrën në Srebrenicës në vitin 1995, kur serbët vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjë që çoi në Planin e Paqes të Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

“Por kur Millosheviqi më pas u përpoq të zhvendoste planin etno-nacionalist në Kosovë, administrata e Clintonit mblodhi një koalicion për ta ndaluar atë që ishte bërë në Bosnjë”, shkruan CNN.

Albright akuzoi Millosheviqin për krijimin e “një tmerri të përmasave biblike” në “dëshirën e tij për të shfarosur një grup njerëzish” – shumicën myslimane të Kosovës.

Ajo u vu nën kritika të ashpra në Uashington në atë kohë, me disa që i quajtën sulmet ajrore të NATO-s “Lufta e Albright” ndërsa të tjerët e akuzuan atë për keqvlerësim të vendosmërisë së Millosheviqit.

Për këtë qëllim, Albright tha në vitin 1999, “Unë marr përgjegjësinë e plotë së bashku me kolegët e mi për të besuar se ishte thelbësore për ne që të mos qëndronim dhe të shikonim atë që Millosheviqi po planifikonte të bënte”, duke shtuar se “ne nuk mund të shikojmë krimet kundër njerëzimit”.

CNN shkruan se një koalicion i udhëhequr nga ShBA-ja ndaloi agresionin serb dhe Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin