Çmimet evropiane të gazit natyror kanë rënë nën 100 euro për megavat orë për herë të parë që kur Rusia uli furnizimet këtë verë, me motin e ngrohtë dhe ruajtjen pothuajse të plotë të gazit që lehtësojnë shqetësimet për mungesa gjatë dimrit.
Rënia e çmimit do të vijë si një nxitje për udhëheqësit e BE-së, të cilët po punojnë për të vendosur një kufi mbi çmimin e karburantit, ndërsa luftojnë inflacionin e lartë dhe një ekonomi të ngadalësuar, dhe në një përpjekje për t’ia ndaluar fondet Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.
Çmimet e gazit LNG, sipas “Financial Times”, ranë deri në 93,35 €/MWh të hënën, gati për 20% në krahasim me të premten, më e ulëta që ka qenë që nga mesi i qershorit.
Çmimet evropiane të gazit janë tani 70 për qind nën nivelet e gushtit, kur u rritën mbi 300 euro/MWh, megjithëse janë ende shumë mbi diapazonin prej 20 deri në 40 euro/MWh me të cilat tregtoheshin kryesisht gjatë dekadës së fundit.
James Waddell në “Energy Aspects” tha se çmimet po binin në afat të shkurtër për shkak të “kapacitetit të kufizuar të mbetur për ruajtje, kërkesës së ulët për gaz për shkak të motit të butë dhe mbingarkesës në sjelljen e LNG-së dhe rrjedhjen e tij në lindje brenda Evropës”.
Tom Marzec-Manser në ICIS tha se konsumi ishte rreth 20 për qind më i ulët në Evropë se zakonisht për këtë periudhë të vitit.
Rritja e importeve të gazit natyror të lëngshëm për të zëvendësuar furnizimet e gazsjellësit rus – të cilat tani përbëjnë vetëm 9 për qind të furnizimit të BE-së, nga 40 për qind vitin e kaluar – kanë ndihmuar depozitimin evropian të arrijë më shumë se 90 për qind kapacitetin, ndërkohë që moti i ngrohtë ka nënkuptuar vonesa në kërkesën për ngrohje.