James Vincent, një reporter në The Verge – një portal amerikan i teknologjisë, ka treguar në një shkrim të fundit se si ndërrimi i baterisë e ka përmirësuar dukshëm funksionalitetin e celularit të tij iPhone – duke thënë se është i nervozuar që Apple nuk i tregoi më herët ta bënte këtë.
Ai shkruan: “Dy javë më parë, shkova në një dyqan të Apple dhe ia vendosa një bateri të re celularit tim iPhone 6S. Të nesërmen, e kuptova se sa të padobishëm e kishte bërë celularin tim bateria e vjetër e tij.
Ndërrimi i baterisë e ktheu funksionalitetin që kishte kohë që ishte ngadalësuar shumë. Aplikacionet tani hapen menjëherë. Tastiera nuk bllokohet kur dua të kthej mesazhe në Outlook.
Celulari im më nuk varet për kabllon e karikimit sikur të ishte infuzion spitali dhe bateria më nuk bie nga 40% në zero kur dal jashtë në të ftohtë. Besimi në celularin tim më është kthyer, por si rezultat i kësaj, Apple-së i besoj shumë më pak.
Arsyeja e vetme pse e bëra ndërrimin e baterisë ishte për shkak të një debakli dhjetorin e kaluar kur një zhvillues aplikacionesh zbuloi se përditësimet e iOS po i ngadalësonin celularët iPhone.
Kjo dukej se konfirmonte spekulimet se Apple i ngadalëson me qëllim celularët e vjetër, vetëm për t’i bërë përdoruesit që të kalojnë në celularë të rinj. Departamenti i PR në Apple u vendos në pozitë shumë të keqe nga mediat, duke thënë se Apple i ka ngadalësuar pajisjet, por vetëm për t’ua ruajtur bateritë.
Apple shpjegoi se i duhej të zgjedhte në mes të celularëve iPhone me performancë të dobët dhe me më shumë stabilitet (duke i ndalur fikjet e papritura që shkaktoheshin nga bateritë e vjetruara), ose performancës së njëjtë dhe stabilitetit më të vogël.
Kompania më pas uli çmimet e zëvendësimit të baterisë dhe bëri një përditësim që i lejon përdoruesit të zgjedhin në mes të performancës dhe stabilitetit. Kjo është një mënyrë e mirë për të kërkuar falje, po, por kjo tregoi gjithashtu atë se sa keq i ka trajtuar Apple klientët deri tani.
Para se ta merrja baterinë e re, e kisha në plan të merrja një iPhone të ri këtë vit. Tani do të pres deri më 2019. Zëvendësimi i baterisë prej 30 dollarësh më kurseu qindra dollarë, por pse Apple nuk më tregoi më herët?
Nëse po e lexoni këtë dhe po mendoni, “Idiot, pse do të të tregonin ty?”. Atëherë, keni të drejtë. E di se kompanitë nuk janë miqtë e mi dhe asnjë prodhues i madh celularësh nuk i bën riparimet e performancës pjesë të shitjeve të tyre”.