Manchester City e mposhti Paris Saint Germain në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, ndeshje kjo e zhvilluar të mërkurën në Francë.
Ishte skuadra franceze ajo e cila e nisi shumë më mirë takimin duke shënuar golin e epërsisë pas vetëm 15’ minuta lojë në “Parkun e Princave” dhe ky njëherësh ishte edhe rezultati pas 45 minutave lojë.
Por, një tjetër pasqyrë u pa në pjesën e dytë me skuadrën angleze që mori gjithçka në dorë dhe arriti të bënte një përmbysje të madhe të rezultatit.
Fillimisht shifrat i barazoi Kevin De Bruyne në minutën e 64’, ndërsa për ta përmbysur rezultatin u përkujdes sulmuesi i krahut Ryad Mahrez, i cili realizoi një gol shumë të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 71’.
PSG- ja 13 minutat e fundit të ndeshjes i zhvilloi me një lojtar më pak në fushë, pasi nga loja u përjashtua Gueye në minutën e 77’, i cili bëri një ndërhyrjeje të ashpër në Ikay Gundogan.
Kjo fitore i jep një përparësi të madhe Cityt para ndeshjes kthyese, e cila do të zhvillohet javën tjetër në stadiumin “Etihad” në Angli./Gazeta Sinjali Sporti/