image Çitaku reagon ndaj propozimit të Francës, thotë se është "arsyetim për zhagitje të mëtejme"

Politikë

Çitaku reagon ndaj propozimit të Francës, thotë se është “arsyetim për zhagitje të mëtejme”

news image

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është shprehur se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo përmes një postimi në Facebook, tha se çdo arsyetim është zhagitje.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Pikë. Çdo gjë tjetër është arsyetim për zhagitje te mëtejme”, ka shkruar Çitaku.

Theksojmë se Radio Evropa e Lirë sot ka raportuar se në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Sipas REL-it, ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Çka është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave?

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), është sistem i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të mbrojtjes dhe forcimit të kufijve. Qëllimi i tij është identifikimi i rreziqeve dhe i kërcënimeve që lidhen me turistët që udhëtojnë në cilindo shtet të zonës Schengen.

Autorizimi i ETIAS-it do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori i 2023-s, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. Ky sistem do të bëhet kërkesë e detyrueshme hyrjeje.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.

Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.

Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.

Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

/GazetaSinjali/