Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas publikimit të videos së fundit nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kritikon dhe akuzon qeveritë e kaluar për gjendjen energjetike në vend.
Çitaku në një postim në Facebook ka thënë se VV ka sabotuar çdo projekt që ka synuar rritjen e kapaciteteve gjeneruese dhe pavarësinë energjetike. Sipas saj, Qeveria Kurti nuk ka sjell as projektin e MCC për energjinë.
“Lëvizja VV ka sabotuar çdo projekt që ka synuar rritjen e kapaciteteve gjeneruese dhe pavarësinë energjetike. Ama bash secilin, prej ndërtimit të termocentralit me thëngjill Kosova e re, deri tek kyçja në gazsjellësin e mbështetur nga SHBA-të”, ka shkruar ajo.
Sipas Çitakut, Qeveria Kurti nuk e ka sjellë as projektin e MCC, e as ndonjë projekt tjetër në Kosovë.
“E vetmja e arritur e kësaj qeverie është rikthimi i agregatëve dhe çmimeve më të larta të energjisë që qytetari ynë ka paguar ndonjëherë. Nuk qeveriset me propagandë. Qeveriset me punë. Aman, punoni diçka”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.
VV, përmes videos së fundit ka akuzuar qeveritë e kaluara se e kanë lënë në terr vendin, ndërkohë që ka listuar disa prej sukseseve të saj, duke e arsyetuar gjendjen e vështirësuar energjetike në vend, me krizën energjetikë në botë.