Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka thënë se PDK-ja është parti që ka barazi gjinore.
Sipas saj, në PDK, nuk ekziston një tavolinë diskutimi për burra e një për gra, e as tema që diskutohen vetëm nga burrat e të tjera që disktuohetn nga gratë.
“Në PDK si do ta shihni edhe sot nuk ekziston një tavolinë për burra e një për gra, s’ka tema për burra e tema për gra. Të metat nuk janë gjinore por njerëzore, ne vetëm bashkë në një tavolinë mund të marrim vendime të drejta që mund ta qojnë Kosovë në shekullin e ri”, ka thënë Çitaku.
Ajo madje tha se arsyeja se pse është pjesë e PDK-së, është guximi që e karakterizon këtë parti.
“Arsyeja kryesore pse jam krenare që jam në PDK është se PDK-ja ka pasur dhe ka guxim. Ka pasur guxim të ndërtojë historinë dhe të projektojë të ardhmen”, tha ajo.
Sipas Çitakut, beteja për barazi nuk është dhe s’duhet të jetë betejë vetëm e grave, kjo nuk është betejë apo aspiratë e grave kundër burrave është betejë e përbashkët. “Gratë duhet të punojnë bashkë me burrat”.
Në këtë konventë mori pjesë edhe drejtoresha e NDI, Nancy Soderberg, e cila ka përshëndetur vizionin e ri të PDK-së, duke thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme barazia gjinore në vendimmarrje.
Ajo ka thënë se me këtë vendim, PDK-ja po vë një standard të ri për të gjithë Kosovën.
“Kosova ka pasur mangësi në përfshirjen e grave në qeverisje. Thënë thjesht, suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e grave. Prandaj kjo konventë ka shumë rëndësi. Gratë dhe burrat duhet të bëjnë më shumë për të fuqizuar gruan. Nuk duhet të jetë 30 për qind, as 40 për qind, por 50 me 50 për qind. Prandaj, edhe motoja juaj, “Bashkë! 50 me 50” është kaq e rëndësishme sepse po vëni një standard të ri për të gjithë në Kosovë”, ka thënë Soderberg.