Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Prizren nga burri i saj.
Çitaku tha se nuk është koha për tronditje e për të bashkëndjerë dhimbje, por është koha për revoltë.
“Gratë po vriten me një lehtësi të padurueshme”.
“Dhunë e vrasje ndaj grave ka kudo. Ajo që bën dallimin është mënyra se si reagon shoqëria dhe institucionet”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo ka kërkuar të bëhet e ditur se sa persona kanë armë pa leje në Kosovë.
“Pastaj, a nuk ka ardhë koha të flasim për numrin e madh dhe të pakontrolluar të armëve në duar të personave të paautorizuar. Sa armë pa leje janë në #Kosovë? Dhe sa lehtë është të pajisesh me një të tillë. Personi që vrau gruan mbrëmë në Prizren sapo paska ardhë nga Zvicrra. Ju garantoj që atë revole nuk e ka sjellë nga atje”, shkruan Çitaku