Kur Zinedine Zidane dha dorëheqje nga roli i tij si trajner i Real Madridit më 27 maj, ishte e qartë që hera e dytë si trajner i këtij klubi do të jetë hera e tij e fundit.
Një muaj e gjysmë më vonë, Zidane është shumë i relaksuar për të ardhmen e tij, pasi që është vetëm një punë që ai po e mendon – të jetë trajner i Kombëtares së Francës.
Megjithatë, këto plane, siç ka shkruar L’Equipe do të presin dritën e konfirmimit edhe për pak kohë pasi që Didier Deschamps do ta drejtojë Francën deri pas Botërorit, Katari 2022.
Pavarësisht kësaj, Zidane-it nuk i ngutet dhe, siç thekson gazeta franceze, ai ka refuzuar oferta shumë ojshëse nga Anglia, Gjiri Persik dhe Azia. “Futbolli nuk është para për Zidanin, është jeta për të”, ka thënë një burim i afërt me Zidane për L’Equipe.
“Për të, janë gjithmonë katër vende që ai i preferon: Bordeauxz, Juventus, Real Madrid dhe Kombëtarja e tij, Franca”.
Gruaja e tij dhe fëmijët
Prioriteti i Zidane për momentin është të kalojë sa më shumë kohë me familjen e tij, pasi që nuk ka qenë në gjendje ta bëjë këtë sa ishte duke e drejtuar Real Madridin.
“Kur ai ishte trajner i Real Madridit dhe më shumë gjatë herës së dytë, për shkak të Covid-19 Zidane kishte jetuar pothuajse i vetmuar”, ka vazhduar ky burim. “Ai është zgjuar çdo ditë në orën 6 të mëngjesit kurse në Valdebebas ka qenë në orën 7:30 dhe ai ka qëndruar aty deri në orën 19:00. Ai kishte stilin e jetës njëjtë sikurse kur ishte lojtar”.
Duke shikuar përpara të ardhmen, Zidane tani ka vetëm një qëllim për karrierën e tij: të jetë trajner i Francës në të ardhmen. “A do t’ia lejë kohës dhe zhvillimeve që të ecin, ai nuk dëshiron ta vë në presion askënd”, tha ky burim. “Të gjithë të afërmit e tij e dinë që (roli i trajnerit të Francës) do të jetë sfida e tij e radhës. Ai nuk dëshiron që të jetë përsëri trajner i ndonjë klubi”. /Gazeta Sinjali Sporti/