image Cilat janë masat antiCOVID që duhet të zbatohen nga votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit, flasin nga KQZ

Politikë

Cilat janë masat antiCOVID që duhet të zbatohen nga votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit, flasin nga KQZ

news image

14 shkurti është dita kur qytetarët e Republikës së Kosovës priten të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen pas vendimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Gazeta Sinjali.

Mijëra qytetarë do të kenë mundësi që përmes votës të tregojnë se cili subjekt politik është i duhuri për ta.

Duke pasur parasysh që këto zgjedhje janë organizuar në kohë pandemie, atëherë Gazeta Sinjali është interesuar të marrë informacione se si do të mbahen zgjedhjet sa i përket masave antiCOVID.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me këtë çështje, kanë thënë se  votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2 metra gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit.

“Sipas udhëzimit të miratuar për masat mbrojtëse që duhej të zbatoheshin më 29 nëntor, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2m gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim do të vendosen edhe dezinfektuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga KQZ kanë folur edhe për masat që duhet t’i përmbahen stafi zgjedhor, duke shtuar se këta të fundit do të kujdesen që për dezinfektimin e tavolinave dhe të bëjë ajrosjen kohë-pas-kohe të vendvotimeve.

“Stafi zgjedhor i cili do të angazhohet në ditën e zgjedhjeve, duhet të kujdeset që për dezinfektimin e tavolinave dhe të bëjë ajrosjen kohë-pas-kohe të vendvotimeve. Po ashtu, stafi zgjedhor duhet të zbatojë edhe disa masa të tjera mbrojtëse të cilat kanë të bëjnë me procesin e numërimit të fletëvotimeve në vendvotim. Gjatë këtij procesi, stafi zgjedhor duhet të mbajë maskën dhe dorëzat mbrojtëse”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.

Po ashtu, KQZ-ja ka krijuar procedura të veçanta për t’iu përshtatur kërkesave dhe nevojave që dalin nga kjo kohë e pandemie.

“Në këtë drejtim, KQZ-ja ka procedurën për regjistrimin dhe votimin e personave të cilët fatkeqësisht mund të jenë të infektuar me COVID-19 që në ditën e zgjedhjeve janë në karantinë shtëpiake dhe nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese. Me qëllim që t’iu mundësojë votimin këtyre votuesve, KQZ-ja dërgon ekipet mobile në adresë të tyre, në ditën e zgjedhjeve.

Gjithashtu, KQZ-ja ka përcaktuar edhe masat kufizuese të cilat duhet të zbatohen nga stafi zgjedhor, vëzhguesit dhe votuesit”, thuhet ndër të tjera nga KQZ.

Kujtojmë që zgjedhjet në kohë pandemie janë mbajtur edhe në Mitrovicën e Veriut dhe në Podujevë në fund të nëntorit të vitit 2020.

Madje, për fitoren e Shpejtim Bulliqit në Llap, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është kritikuar mjaft shumë pasi qindëra persona ishin mbledhur për të festuar fitoren e kësaj partie.

/Gazeta Sinjali/