Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për një rrahje e gjuajtje me armë zjarri në lokalin “Zone Bar” në Gjakovë, ku pati edhe të lënduar. Sinjali ka mësuar detaje të reja për këtë rrahje masive, ku dy të dyshuar ikën e disa të tjerë u kapën.
Debat verbal, rrahje e gjuajtje me armë
Burimet e Sinjalit njoftuan se e gjithë ngjarja nisi nga një debat verbal që patën të dyshuarit mes vete, çka pasoi me përleshje fizike.
Gjatë përleshjes fizike, i dyshuari kryesor ka nxjerr armën e zjarrit dhe ka shtënë dy herë në ajër, e më pas ka shtënë në drejtim të një të dyshuari tjetër, të cilin e plagosi në këmbë.
Por, nuk përfundoi me kaq. Në këtë lokal siç duket kishte edhe merakli tjetër të gjuajtjes me armë. Kështu një i dyshuar tjetër gjuajti me armë në drejtim të dyshuarit kryesor.
Sinjali ka mësuar se të lënduar si pasojë e përleshjes fizike mbetën katër të dyshuar dhe një person tjetër që kishte ndërhyrë për t’i ndarë gjatë rrahjes.
Të njëjtat burime kanë njoftuar se i dyshuari kryesor që e ka plagosur një person bashkë me njërin nga të dyshuarit e tjerë gjenden në arrati.
Ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Njëri është dërguar në ndalim, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në veturën e të dyshuarit që është liruar është gjetur një armë dhe një karikator.
Pasi Policia doli në vendin e ngjarjes, Sinjali mëson se janë konfiskuar gjashtë gëzhoja, një predhë dhe një veturë me targa zvicerane.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të tjera./Gazeta Sinjali/