image Çfarë ka ndodhur gjatë të premtes në Ukrainë?

Botë

Çfarë ka ndodhur gjatë të premtes në Ukrainë?

news image

Në Kiev shënon ora 00:10 pas mesnate. Në shumë qytete të Ukrainës po vazhdojnë luftimet, derisa qindra-mijëra njerëz po mundohen të evakuohen.

Zhvillimet kryesore të ditës së premte kanë qenë:

Kombet e Bashkuara njoftuan të premten se së bashku me partnerët e saj në Ukrainë përfunduan dërgimin e karvanit të parë të ndihmave humanitare për qytetin e Sumy, i cili ndodhet në verilindje të vendit, shkruan REL.

Gjithsej 9,145 njerëz u evakuuan nga qytetet e Ukrainës përmes korridoreve humanitare të premten, tha një zyrtar i lartë.

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha të premten presidentit rus Vladimir Putin se është shumë i shqetësuar për situatën në Mariupol.

Agjencia për Migracion e Kombeve të Bashkuara tha të premten se rreth 6.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës, derisa 3.2 milionë të tjerë tashmë janë larguar nga vendi.

Anëtari i ekipit negociator të Ukrainës, Mykhailo Podolyak tha se Rusia po përpiqet të “provokojë tension në media” dhe se pozicioni i Ukrainës mbetet i pandryshuar në raport me bisedimet Ukrainë-Rusi. Delegacioni rus tha se ka përparim në negociata sa i takon demilitarizimit të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, ka thënë të premten se Rusia do të sulmojë çdo dërgesë armësh që hyn në Ukrainë.

Zyra e Kombeve të Bashkuara tha të premten se të paktën 816 civilë janë vrarë dhe 1,333 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftimeve e deri më 17 mars.

Të premten, në një paraqitje të rrallë publike, presidenti i Rusisë Vladimir Putin u shfaq në një skenë para dhjetëra-mijëra rusëve për të festuar tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë nga Ukraina.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë përmes videolidhjes me presidentin kinez, Xi Jinping. Mediat raportojnë se presidenti kinez Xi, ka thënë se lufta që po ndodh në Ukrainë nuk është në interes të askujt.

Bullgaria dhe vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë: Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik.

Britania bllokon RT-në: Rregullatori britanik, Ofcom, i ka hequr licencën kanalit rus, që financohet nga shteti, RT.

“Abuzim pervers i pushtetit”: Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë si “abuzim pervers të pushtetit”, e cila i ka dënuar njerëzit e pambrojtur me dhunë.