Dafina Zeqiri është njëra ndër artistet më të pëlqyera shqiptare. Këtë vit artistja ishte tejet aktive në skenën muzikore shqiptare dhe jo vetëm.
Përgjatë vitit 2019, Dafina publikoi nëntë projekte muzikore, pesë prej të cilave në bashkëpunim me artistë të tjerë gjithashtu të suksesshëm, transmeton Gazeta Sinjali.
Këngëtarja më 1 mars lansoi projektin e parë për këtë vit të titulluar “A e man men”. Kënga u pëlqye shumë nga publiku dhe deri më tani numëron mbi pesë milionë klikime në kanalin YouTube.
Pas këtij projekti tejet të suksesshëm, artistja vendosi që për datëlindjen e saj më 14 prill, tu dhurojë fansave një këngë tjetër. Bëhet fjalë për projektin “Rofe”, e cila e solli një Dafinë të fuqishme në skenë.
Me t’u bërë një muaj, Dafina publikoi projektin e ri muzikor të titulluar “La Reina”, i cili rezultoi të jetë tejet i sukesshëm, jo vetëm nga ana e interpretimit të artistes, por edhe vizuelizimit të tij.
Pas “La Reinas”, në muajin qershor u publikua kënga “Desole por favor”, në bashkëpunim me Dj e njohur francez, Dj Hamida dhe Aymane Serhanin. Për dallim nga dy projektet paraprake, këtu Dafina u shfaq tejet sensuale. Kënga u pëlqye shumë nga publiku dhe deri më tani numëron mbi pesë milionë klikime në YouTube.
Menjëherë në muajin korrik, Dafina publikoi bashkëpunimin e dytë, atë me Lumi B, të titulluar “Lule lule”. Ky bashkëpunim ishte njëri ndër më të dëgjuarit në trojet shqiptare dhe jo vetëm. Kënga në YouTube deri më tani numëron mbi 13 milionë klikime.
Pas dy bashkëpunimeve të suksesshme me meshkuj, Dafina lansoi një projekt tjetër në bashkëpunim me rep-artisten shumë të përfolur shqiptare Tayna. Kënga titullohet “Bye Bye”, e cila është publikuar më 11 gusht dhe deri më tani numëron mbi 31 milionë klikime në YouTube.
Dafina pas bashkëpunimit me Taynën lansoi edhe dy projekte të tjera, atë “Kapma dorën” me Lurron, si dhe “Ring Ring” me Varrosin. Të dyja projektet u pëlqyen nga publiku dhe numërojnë miliona klikime në YouTube.
Vitin 2019, Dafina Zeqiri vendosi ta përmbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Artistja më 14 dhjetor publikoi projektin e ri muzikor “Vuj vuj vuj”, i cili njëherësh pritet të jetë i fundit për këtë vit. Kënga qysh në ditët e para ka marrë komente të shumta pozitive dhe mijëra klikime në kanalin YouTube./Gazeta Sinjali/