Tre shqiptarë kanë përfunduar në pranga në Spanjë pasi kishin formuar një bandë që grabiste vila në periferi të Madridit. Sipas “El Mundo”, tre shqiptarët u kapën pas operacionit të koduar “Habitat Qeleshe”. Ata ishin shumë aktivë, duke kryer mesatarisht dy grabitje në ditë.
Të tre të arrestuarit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, ishin të moshës 25-30 vjeç. Ata kishin mbërritur në Spanjë në muajin tetor duke nisur menjëherë nga puna. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e “grabitjes me dhunë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe të tre janë lënë në burg.
Gjatë arrestimit, në banesën e tyre u gjetën 1000 euro, një sasi parash në monedha të tjera, si dhe bizhuteri të ndryshme, si varëse, byzylykë, unaza dhe dokumente të falsifikuara. Hetimet për grabitjet nisën në 16 nëntor, kur në një vilë në zonën Grinon u grabitën sende me vlerë 6000 euro.
Tre shqiptarët përdornin mjete të transportit publik për të udhëtuar në zona të ndryshme të Madridit pa rënë në sy, e për të pikasur vilat që do të grabisnin. Më pas ktheheshin dhe pasi hynin me forcë në banesa, merrnin kryesisht sende të vogla me vlerë, për t’i fshehur lehtë, por edhe para dhe dokumente që mund të gjenin.
Golpe a una banda de albaneses que robaban en chalés en Madrid en Videos