Para disa ditësh, Gazeta Sinjali raportoi për një rast të rëndë që ndodhi në fshatin Nashec të Prizrenit, ku një 29-vjeçare dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga dy persona.
Lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurve Enes Sallahi, 27-vjeçar dhe Tefik Jupaj, 50-vjeçar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “dhunimi”.
“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Se në periudhën kohore 16 dhe 17 qershor 2022 në orë të pacaktuar, të pandehurit së bashku e detyrojnë viktimën – të dëmtuarën për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që e shoqërojnë në një shtëpi e detyrojnë që të konsumon pije alkoolike dhe substanca narkotike e sjellin në situatë pa vetëdije me ç ‘ rast i pandehuri T. e godet me një mjet të fortë në kokë dhe kryejnë marrëdhënie seksuale me viktimën“.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe faktin se procedura hetimore është në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të merren në pyetje dëshmitarë eventual, të bëhen ekzaminime mjekësore dhe të mblidhen prova të tjera për zbardhjen e së vërtetës.
Në komunikatë për media bëhet e ditur se me rastin e caktimit të paraburgimit, gjyqtarja ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve, dhe nga verifikimi i tyre të njëjtit rezultojnë përsëritës të veprave penale të shumta, dhe kjo tregon rrezikun se me lënien në liri të njëjtit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, dhe të njëjtit mund të përsërisin vepra penale të ngjashme apo edhe më të rënda ndaj të dëmtuarës apo persona të tjerë, me qëllim të dëmtimit të procedurës hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.