image Caktohet masa e paraburgimit kundër të dyshuarit për sulmin seksual ndaj 13-vjeçares

Drejtësi

Caktohet masa e paraburgimit kundër të dyshuarit për sulmin seksual ndaj 13-vjeçares

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj të pandehurit Sh.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “sulm seksual”, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit 7 mars 2021 deri më 6 prill të këtij viti.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit Sh.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

“Me datë 7 mars në orët e mesditës, i pandehuri Sh.B.,  pasi që e kishte marrë me veturën e tij të dëmtuarën –  fëmijën 13-vjeçare, i pandehuri Sh.B., prek të dëmtuarën në këmbë afër gjurit dhe në pjesë të ndryshëm të trupit derisa e dëmtuara ishte e ulur në ulësen e parë të pasagjerit dhe në një moment gjatë lëvizjes vetura ndalet nga patrulla e policisë, ku edhe i pandehuri shoqërohet në polici”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që i kanoset për këtë vepër penale e cila parashikohet me dënim me burgim prej 10 vjet deri në 20 vjet, si dhe peshës së veprës penale e cila është e natyrës mjaftë të rëndë.

Po ashtu, gjyqtarja ka konstatuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar.

Andaj, nëse i pandehuri lihet në liri, ka arsye për të besuar se i njëjti do të ndikojë te fëmija si i dëmtuar apo edhe familjarët e saj në ndonjë mënyrë të caktuar për të ndryshuar deklarimet apo edhe të asgjësoje apo fsheh ndonjë provë materiale.

Kështu, gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më oportune dhe më e arsyeshme duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes.

“Caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore dhe rrezikut të ikjes apo fshehjes së të pandehurit”, thuhet tutje në kumtesë.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi./Gazeta Sinjali/