Një baba në Britani, i akuzuar për vrasjen e dy fëmijëve dhe ish-të dashurës së tij, u akuzua sot në gjykatë se kishte shkruar një letër të rreme vetëvrasjeje për t’i shpëtuar drejtësisë, pas disa akteve mizore.
Vrasësi serial, 30 vjeçari Jordan Monaghan, thuhej se kishte tentuar të kopjonte shkrimin e viktimës Evie Adams dhe frazat e përdorura prej saj.
Në gjykatën e Preston në veri të Britanisë u tha se hetimet zbuluan se ishte në fakt shkrimi i Monaghan në letrën e vetëvrasjes së Evie më 22 tetor 2019.
Një ekspertë kaligrafie në sallë tha se ishte e sigurtë se shkrimi ishte i të akuzuarit.
Dr Isabel Picornell tha: “Në shkrim kishte disa ndryshime nga kaligrafia e Monaghan por dallimet nuk ishin të mëdha”.
“Unë besoj se kjo vjen pasi Monaghan ka tentuar të kopjojë stilin e zonjushës së ndjerë Adams.”
Ekspertja Dr Picornell tha se është shumë e vështirë që dikush të arrijë të fshehë stilin e vet linguistik apo kaligrafik për të kopjuar atë të një tjetri.
Monaghan, nga Blackburn, akuzohet për vrasjen makabre të vajzës së tij tre-javëshe Ruby dhe të birit 21-muajsh Logan. Ruby vdiq në shtëpinë e saj ditën e vitit të ri më 2013, kurse vëllai i saj Logan vdiq tetë muaj më vonë në 17 gusht.
Ai akuzohet gjithshtu për vrasjen e ish-të dashurës Evie Adams në tetor 2019, dhe dy tentativa për vrasjen e nje fëmije të tretë, i cili nuk është emëruar për arsye sigurie.
I akuzuari i mohon akuzat.