Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë Leonard Vehapin, për akuzën se sulmoi fizikisht tri vajza para lokalit “Home Massage” në Prishtinë.
Vehapi akuzohet se në shtator 2021, para lokalit “Home Massage” sulmoi fizikisht të dëmtuarat M.Sh., S.M. dhe S.Ç. Këtë thuhet se e ka bërë pasi që fillimisht kishte pranuar shërbime të masazhit, e më pas kishte kërkuar shërbime seksuale, shërbim i cili i ishte refuzuar.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të premten nga gjykatësi Hanefi Jashari.
Fillimisht i akuzuari Vehapi u dënua me 6 muaj burgim, mirëpo me kërkesën dhe pëlqimin e tij, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë euro.
Sipas këtij aktgjykimi, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 3 shtatori 2021, e cila masë i ndërpritet.
Vehapi gjithashtu obligohet t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësor, 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit dhe 50 euro për ekspertizën mjeko ligjore.
Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu, i akuzuari Vehapi e ka pranuar veprën penale e cila i vihet në barrë.
Këtë pranim të fajësisë e ka mbështetur prokurori Kodraliu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Vehapi, avokati Prek Kola, të cilin më pas gjykata e ka aprovuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Leonard Vehapi akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 1.4 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se më 1 shtator 2021, rreth orës 17:00, në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, më saktësisht para lokalit “Home Massage”, i pandehuri me dashje që tu shkaktoj lëndime trupore, fizikisht i kishte sulmuar tani të dëmtuarat M.Sh., S.M. dhe S.Ç.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri pasi që kishte pranuar shërbime të masazhit nga e dëmtuara M.Sh. nga e njëjta kishte kërkuar edhe shërbime seksuale të cilat nuk i kishte pranuar. Aty thuhet se i pandehuri pas fjalosjes me të dëmtuarat largohet nga lokali dhe pas disa minutash kthehet vrullshëm dhe e godet të dëmtuarën M.Sh. me shqelma dhe grushte në kokë, shkruan Betimi për Drejtësi.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri në ato momente ia kishte marrë nga dora një shkop të drurit të dëmtuarës S.Ç. dhe të njëjtën e godet dy herë më të në pjesën e këmbës dhe shpinës duke e rrëzuar për tokë, ndërsa të dëmtuarën S.M. e godet me grushte në fytyrë dhe kokë, ku të dyjave iu shkakton dëmtime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.