Policia e Kosovës ka arrestuar në fshatin Cernicë të Gjilanit një person i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht gruan dhe dy vajzat e fqiut të tij, ka mësuar Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
I dyshuari 50 vjeçar, me inicialet M. Sh (emër i njohur për redaksinë), dyshohet se e ka bërë këtë veprim të ulët për tri ditë me radhë.
Duke e parë këtë gjendje, babai i vajzave njëherit bashkëshorti i gruas, dje pasdite e ka lajmëruar rastin në polici me qëllim të ndërmarrjes së masave për mbrojtjen e viktimave nga ngacmimi i vazhdueshëm seksual, raporton Gazeta Sinjali.
Këto informacione janë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka ndaluar për 48 orë ndërsa në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është inicuar si “Ngacmim seksual”. Por, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe rekomandimit të psikiatrit, i dyshuari është ndaluar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë dhe sigurohet nga patrolla policore. /Gazeta Sinjali/