Ka shumë raste kur problemet për çiftet nuk marrin fund me shkurorëzim. Edhe pas ndarjes, shumë nga ish-partnerët shkaktojnë telashe, duke u nevojitur shpesh herë edhe intervenimi i Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundi edhe në fshatin Janjevë të Lipjanit, ku një grua ka denoncuar ish partnerin e saj në Polici.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi i dyshuari është zhvendosur të jetojë në një qytet tjetër dhe ishte kthyer në shtëpinë ku jetonte me viktimën për t’i marrë gjërat e tij personale.
Por me të arritur te shtëpia, ish gruaja e tij nuk ia ka hapur derën dhe s’e ka lënë të hyjë brenda. E gjithë kjo situatë e nervozi shumë të dyshuarin, i cili në shenjë revolte ka demoluar gjithë oborrin, përfshirë edhe derën e hyrjes.
Nga frika se do e pësonte edhe ajo vetë, gruaja ka tentuar të ikë nga dritarja e shtëpisë, mirëpo aty është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore, për çka kërkoi ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.
Pas denoncimit, Policia dhe Prokuroria janë aktivizuar, me ç’rast është siguruar prezenca e të dyshuarit në stacion policor. 54-vjeçari ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, teksa ka deklaruar se këtë e ka bërë nga nervoza që s’ka arritur të hyjë brenda shtëpisë.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.