image Burri në Lipjan ia then dhëmbin vëllait të tij, shkak mosmarrëveshjet për tokë

Siguri

Burri në Lipjan ia then dhëmbin vëllait të tij, shkak mosmarrëveshjet për tokë

news image

Foto ilustruese


Mosmarrëveshjet për pronë dinë të shkaktojnë zënka të mëdha mes anëtarëve të familjes, të cilët shpesh eskalojnë në kërcënime e sulme fizike ndaj njëri-tjetrit. Në telashe kanë përfunduar edhe dy vëllezër nga fshati Marec i komunës së Lipjanit, raporton Gazeta Sinjali.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 60-vjeçari ka deklaruar se teksa po qëndronte para dyerve të oborrit të tij, vëllai më i ri në moshë ka shkuar dhe e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte.

Por një version tjetër e ka rrëfyer vëllai i cili u denoncua si i dyshuar.

Sinjali mëson se ai ka deklaruar se ka qenë vëllai i tij ai i cili e ka sulmuar i pari, duke shkuar te shtëpia e tij dhe duke e goditur me grushte. Si pasojë e goditjeve, 57-vjeçarit i është thyer një dhëmb, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Motivi që dyshohet se çoi në rrahjen e përgjakshme mes vëllezërve është një kontest gjyqësor për një pronë, problem i cili nuk është zgjidhur tash e gjashtë vite.

Sipas dëshmisë së njërit prej vëllezërve, ndonëse kanë pasur zënka të vazhdueshme rreth tokës, nuk janë përleshur asnjëherë më parë mes vete.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.

/GazetaSinjali/