image Burri i presidentes arsyeton sulmet ndaj mediave: Nëse nuk di t’i dalësh në krah familjes, rrezikon të mos dish t’i dalësh në krah as vendit

Politikë

Burri i presidentes arsyeton sulmet ndaj mediave: Nëse nuk di t’i dalësh në krah familjes, rrezikon të mos dish t’i dalësh në krah as vendit

news image

Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani dje ka publikuar një status në profilin e tij në Facebook, ku gazetarët i quajti ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale’, e për këtë tha se e ka kuptuar peshën e statusit të tij, por që thotë se është devijuar qëllimshëm.

Ai është sqaruar sot përmes një postimi ku thotë se ka respekt për mediat dhe gazetarët profesionistë.

“E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e parezervë. Jam siguruar gjithnjë të bëj dallimin e qartë në mes të individëve me agjenda të caktuara dhe mediave, të cilat vërtetë i përgjigjen misionit të tyre shenjtë”.

Tutje ka thënë se “Ashtu ishte dhe mbrëmë ku kam bërë dallimin e qartë. Përfundimisht, aq sa do të jem gjithnjë ithtar i mbrojtjes së lirisë së shprehjes, po aq shumë do të jem ithtar i promovimit dhe mbrojtjes së gazetarisë profesionale e të pavarur. Asnjëherë nuk kam synuar e as nuk synoj ta cenojë gazetarinë profesioniste, si profesion i domosdoshëm për demokracinë, për të cilën kontribuojnë shumë gazetarë e media të përkushtuara”.

Postimi i plotë i Prindon Sadriut:

Kur njerëzit e tu të zemrës përballen me sulme të vazhdueshme të bazuara në të pavërteta, janë qëllimkqija dhe synojnë baltosjen e imazhit, ti zhveshesh nga çdo petk tjetër, sepse së pari dhe mbi të gjitha je një baba dhe një bashkëshort. E kur këta dy role të shenjta peshojnë e kanë vlerë për ty më shumë se çdo gjë, ti s’mund të heshtësh para padrejtësisë. Sepse, nëse nuk di t’i dalësh në krah familjes tënde, ti rrezikon të mos dish t’i dalësh në krah as vendit të punës e as shtetit.

Tendencat për të njollosur veprimtarinë e imazhin e Presidentes Osmani, bashkëshortes sime dhe nënës së dy vajzave tona, janë thelbësisht vështirë të tolerueshme, sepse ato çdoherë kanë rezultuar me kërcënimin ndaj jetës dhe sigurisë së tyre, gjë që ka rezultuar edhe me vlerësimin më të lartë të rrezikshmërisë nga ana e institucioneve të sigurisë. Dhjetëra kërcënime, përfshirë kërcënime me vdekje që bëhen ‘live’ nëpër emisione ndaj familjes sime, linqimet publike ndaj babait të Vjosës duke e shpallur atë polic serb që ka kryer krime ndaj shqiptarëve, paraqitja e familjes sime si njerëz që kanë vrarë shqiptarë, pastaj paraqitja jonë si kinse shpiunë e shërbëtorë të Rusisë e udhëheqës të klaneve mafioze, e deri tek propaganda e çdoditshme për kinse pasuri luksoze e artikuj për gjoja abuzim pushteti, janë jo vetëm të pavërteta por edhe kanë rezultuar me cënim të sigurisë edhe ndaj fëmijëvë tanë që nga viti 2019.

Çdo ditë jam dëshmitar i punës së bërë nga Vjosa me aq përkushtim, zell, e besnikëri ndaj të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Transparenca, përgjegjësia e llogaridhënia janë virtyte të natyrshme të saja e sinonime të kulturës së saj të punës. Presidentja Osmani nuk ka shpenzuar kurrë kot e as ka keqshfrytëzuar paranë publike – çdo cent i fituar nga ajo mund të arsyetohet e faktohet. Kjo kulturë e punës e karakterizoi atë si deputetete e si Kryetare e Kuvendit, dhe po e karakterizon sot si Presidente e vendit.

E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e parezervë. Jam siguruar gjithnjë të bëj dallimin e qartë në mes të individëve me agjenda të caktuara dhe mediave, të cilat vërtetë i përgjigjen misionit të tyre shenjtë. Ashtu ishte dhe mbrëmë ku kam bërë dallimin e qartë. Përfundimisht, aq sa do të jem gjithnjë ithtar i mbrojtjes së lirisë së shprehjes, po aq shumë do të jem ithtar i promovimit dhe mbrojtjes së gazetarisë profesionale e të pavarur. Asnjëherë nuk kam synuar e as nuk synoj ta cenojë gazetarinë profesioniste, si profesion i domosdoshëm për demokracinë, për të cilën kontribuojnë shumë gazetarë e media të përkushtuara. Mirëpo, kur rrezikohet jeta e familjes sime për shkak të demonizimit, dezinformatave e propagandës së njerëzve të caktuar, është detyrë po aq e shenjtë që të gjithë ta mbrojmë familjen, dinjitetin dhe të vërtetën.

/GazetaSinjali/