image Katër gra u vranë nga burrat këtë vit

Drejtësi

Katër gra u vranë nga burrat këtë vit

news image

Për tetë muaj në Kosovë janë vrarë katër gra. Dyshohet se tri janë privuar nga jeta prej burrave të tyre, tjetra nga vjehrri i saj. Gruaja që dyshohet se u vra nga vjehrri ka lënë pas vetës një vajzë 3 vjeçare. Viktimat i takojnë moshës 27 deri në 62 vjeç, shkruan Sinjali.

Festa e Vitit të Ri që u kthye në mort

Jakup Jakupi 63 vjeçar nga fshati Selishtë i komunës së Gjilanit, në natën e ndërrimit të motmoteve (1 janar 00:30), gjatë festimit me armë zjarri, dyshohet se ka qëlluar për vdekje gruan e tij, Z.Jakupi 62 vjeçare.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, dyshohet se vrasja kishte ndodhur si pasojë e pakujdesisë së të dyshuarit Jakup Jakupit, burrit të viktimës Z.Jakupi.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Jakup Jakupit. Ai akuzohet për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, shkruan Sinjali.

Vrasja e dyfishtë në Prishtinë: Burri vret gruan, nusen e djalit dhe veten

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në prill të këtij viti në rugën “Bill Clinton” në Prishtinë. Tragjedia kishte ndodhur në banesën e 61 vjeçarit, Hasan Krasniqi. Sipas Prokurorisë së Prishtinës, Krasniqi ka vrarë me armë zjarri gruan e tij Hysnien 60 vjeçare dhe nusën e djalit të tij Remzijen 27 vjeçare. Pas krimit të dyfishtë, Hasan Krasniqi, ka vrarë edhe vetën. Për të është raportuar se ka pasur probleme mendore.

Në foto, Hysnija, Remzija dhe Hasani…Momenti kur kufomat u nxorrën nga banesa
Hasan Krasniqi, vrau vetën pasi vrau gruan dhe nusen e djalit

Vijnë për pushime në Kosovë, burri vret gruan

Qytetarët e Kosovës sot janë shokuar me lajmin për vrasjen e Armenda Velijajt, 41 vjeçare. Vrasja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën “Hysni Morina” në Prizren, jo larg shtëpisë së burrit të Armendes, Bajramit.

I dyshuari kryesor i kësaj vrasje është burri i Armendes, Bajram Velijaj, 61 vjeçar. Ai është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Mësohet se çifti jetonin në Zvicër por kishin ardhur në Kosovë për pushime, ku edhe u vra Armenda.

Dyshohet se motivi i kësaj vrasje janë problemet në çift, kështu tha për Sinjalin një burim brenda Prokurorisë së Prizrenit.

Pas lajmit të publikuar për vrasjen e Armenda Velijajt u bë e ditur se ajo është nëna e këshilltares së kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinajt, Diellza Hoti.

Bajram dhe Armenda Velijaj
Armenda dhe vajza e saj, Diellza Hoti

Për këtë tragjedi ka reaguar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Ai e ka dënuar vrasjen dhe i ka bërë thirrje policisë dhe institucioneve të drejtësisë që t’i japin përgjigjen e merituar dorasit.

“Ngjarja e rëndë e vrasjes në Prizren, është një akt i papranueshëm të cilin e dënoj fuqishëm. Dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave, janë fenomene që shkojnë ndesh me vlerat tradicionale të familjes sonë si dhe me të drejtat themelore të njeriut. Gratë në Kosove kanë qenë në vazhdimësi subjekt i diskriminimit, abuzimit e dhunës”, ka shkruar ndër të tjera Veseli./Sinjali/