Në Bullgari po zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku presidenti aktual, Rumen Radev, po shihet si kandidat favorit për shkak të qëndrimit të tij kundër korrupsionit.
Radev nuk arriti të fitonte shumicën në votimin e rundit të parë që u zhvillua të dielën e kaluar. Ai fitoi 49 për qind të votave krahasuar me 23 për qind sa fitoi Anastas Gerdzhikov, i cili e mban edhe pozitën e Universitetit të Sofjes.
Sipas analistëve, presidenti aktual, Rumen Radev është i favorizuar për të fituar, por ekziston mundësia e një rezultati befasues pasi vetëm 40 për qind e votuesve dolën në rundin e parë.
“Është thelbësore që ata që e mbështetën Radevin të mos demotivohen të dalin përsëri”, i tha Radios Evropa e Lirë, Ruzha Smilova, nga Universiteti i Sofjes.
Bullgarët votuan më 14 nëntor edhe për zgjedhjen e parlamentit të ri. Ky proces zgjedhor është vlerësuar shumë i rëndësishëm pasi vendi anëtar i Bashkimit Evropian është i përfshirë në një krizë politike disamujore.
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare partia e re kundër korrupsionit “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” doli e para, e pasuar nga partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit, Bojko Borisov.
Presidenca e Bullgarisë ka rol kryesisht ceremonial, por Radev e ka transformuar rolin dhe ka qenë aktiv në luftën kundër korrupsionit.
Bullgaria vlerësohet të jetë rrënuar nga korrupsioni që nga përmbysja e komunizmit më shumë se tre dekada më parë.
Vazhdimisht ky vend kritikohet për korrupsion dhe liri të medias. /Gazeta Sinjali/