Bullgaria duhet ta mbështet Maqedoninë e Veriut në integrimin evropian, por jo në llogari të historisë dhe identitetit bullgar, ka thënë presidenti Rumen Radev.
Këto ai i ka thënë në takimin me përfaqësuesit bullgar të Komisionit të përzier multidisiplinar të ekspertëve për çështje të arsimit historik mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë Veriore.
Radev u ka shprehur falënderim anëtarëve të komisionit për rezultatet e deritanishme të Komisionit, por ka shprehur edhe shqetësim për atë që takimi i fundit në Sofje ka përfunduar pa progres në çështjet kontestuese.
“Progresi në punën tuaj është kriter bazë për përmbushjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Takimi i fundit i Komisionit po krijon jorehati. Ritmi i progresit në punën e Komisionit po qëndron pas zhvillimit të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë Veriore. Muaji i ardhshëm mund të jetë kyç në marrëdhëniet tona, sepse Këshilli i BE-së mund të sjell zgjidhje për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore.
Nëse ju mund të jepni garanci se për një muaj Komisioni do t’i zgjidh të gjitha çështjet kontestuese, atëherë Qeveria bullgare mund të vazhdojë me politikën e mbështetjes pa kusht të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE. Por nëse nuk mund të jepet garanci e tillë, Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete dhe të marrë qëndrim të ri me kritere të qarta për mbrojtjen e interesit nacional bullgar të cilët do të ndikojnë edhe në kornizën negociuese për Republikën e Maqedonisë Veriore. Nuk do të lejojmë probleme të pazgjidhura ndërfqinjësore të hyjnë në familjen tonë evropiane”, citohet të ketë thënë Radev.
Ndërkohë, megjithatë, mbështetje për hapjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë Veriore, ka shprehur zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva.
Në takimin me kryetaren e Komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit shqiptar Mimi Kodheli, Zaharieva ka thënë se Sofja është një prej mbështetësve më të mëdhenj të idesë që Shkupi dhe Tirana t’i fillojnë negociatat me BE-në në muajin tetor.
Do të jetë gabim historik, nëse të dy vendet ndahen dhe nuk i fillojnë negociatat për anëtarësim, ka potencuar Zaharieva.