Presidentja e vendit Vjosa Osmani sot gjatë ditës ka qëndruar në komunën e Dragashit për një vizitë, ku është takuar edhe me kryetarin e kësaj komune, Bexhet Xheladini, me asamblenë komunale, OJQ, përfshirë edhe ato që udhëhiqen nga gratë e nga komunitetet.
Pas këtyre takimeve, ajo iu adresua qytetarëve me me një lidhje direkte në “Facebook”, ku dha detaje nga kjo vizitë, e edhe bëri thirrje për qytetarët e vendit, përfshirë edhe mërgimtarët që të vizitohet më shumë kjo komunë e cila posedon bukuri përrallore.
Osmani pati një koment edhe për malet e Sharrit, për të cilat tha se ofrojnë një pamje përrallore dhe se duhet të investohet në turizmin malor të kësaj komune.
“Natyrisht që për ne si institucion i Presidencës është me rëndësi për ne që qytetarët nga të gjitha komunat e Kosovës ta kenë zërin e tyre të dëgjuar, të flasin për sfidat që ballafaqohen, por mbi të gjitha t’i promovojmë këto bukuri përrallore që i ofrojnë malet magjepsëse të Sharrit. Me kryetarin e komunës patëm mundësinë që të diskutojmë se si ta promovojmë turizmin malor sa më shumë”.
Po ashtu, ajo vuri në pah edhe mungesat bazike që disa nga qytetarët e kësaj komune kanë.
“Natyrisht që qytetarët e kësaj ane kanë sfida që ballafaqohen ende, përfshirë edhe sfidat që kanë të bëjnë me ujin, me rrymën elektrike dhe do t’i trajtojmë të gjitha dhe do t’i shtyjmë përpara të gjitha projektet”.