Rusia ka humbur afër 50.000 ushtarë të cilët i janë vrarë ose plagosur gjatë pushtimit të Ukrainës dhe afër 1.700 tanke i janë shkatërruar, tha kreu i forcave të armatosura të Britanisë.
Por, admirali Tony Radakin, i tha BBC-së më 17 korrik se çdo spekulim se humbjet mund të rrëzojnë Qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin, janë thjesht “dëshirë”.
“Mendoj se disa nga komentet se ai nuk është mirë ose dikush me të vërtetë do ta vrasë atë ose do ta largojë nga pushteti, janë thjesht dëshirë”, tha ai duke iu referuar Putinit.
“Si profesionistë ushtarakë, ne shohim një regjim relativisht të qëndrueshëm në Rusi. Presidenti Putin ka qenë në gjendje të shuajë çdo opozitë. Ne shohim një hierarki që është e investuar te presidenti Putin dhe kështu që askush që është në krye nuk ka motivim për ta sfiduar presidentin Putin”, shtoi Radakin.
“Dhe kjo është e zymtë”.
Shefi i ushtrisë britanike tha se me ngecjet në Ukrainë, forcat tokësore të Rusisë tani paraqesin më pak kërcënim sesa që paraqisnin para se të niste lufta.
Përveç humbjeve në personel dhe tanke, Rusisë i janë shkatërruar rreth 4.000 mjete të blinduara luftarake që prej pushtimit të 24 shkurtit, tha shefi i ushtrisë britanike.
“Por, Rusia vazhdon të jetë një fuqi bërthamore. Ka aftësi kibernetike, ka aftësi hapësinore dhe veçanërisht ka programe nën ujë ose mund të kërcënojë që të sulmojë kabllot që gjenden nën ujë që lejojnë që informacioni të qarkullojë në mbarë botën”.