image Brenda 24 orëve arrestohen pesë persona për posedim të substancave narkotike - Sinjali

Brenda 24 orëve arrestohen pesë persona për posedim të substancave narkotike

news image

Policia e Kosovës ka bërë të ditur së gjatë 24 orëve ka ndalur 4 persona të cilëve gjatë kontrollit u janë gjetur substanca narkotike, ndërsa një person përmes vizitës tek një i burgosur ka tentuar ta fusë substancë narkotike brenda burgut të Dubravës.

Sipas raportit të Policisë rastet kanë ndodhur në Lipjan, Ferizaj, në Qendrën Korrektuese në Dubravë si dhe në Mitrovicën e Jugut.

Në rrugën “Skënderbeu” në Lipajn është arrestuar një person të cili gjatë kontrollit i janë konfiskuar një sasi e vogël e substancës narkotike e llojit marihuanë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël e substancës narkotike e llojit marihuanë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq në Ferizaj janë arrestuar dy persona për posedim të substancave narkotike, ku gjatë kontrollit tek të njëjtit është gjetur dhe është konfiskuar rreth 3.40 gram marihuanë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë për posedim të substancave narkotike, ku gjatë kontrollit tek të njëjtit është gjetur dhe është konfiskuar një sasi rreth 3.40 gram marihuanë. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë një persona ka tentuar të fusë substanca narkotike benda burgut gjatë vizitës së tij tek një i burgosur.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull amerikan/Shqiptar pasi tek i njëjti është gjetur dhe është konfiskuar një sasi me substance narkotike marihuanë, i cili përmes vizitës tek një i burgosur ka tentuar ta fusë substancë narkotike brenda burgut. Me urdhër të prokurorit, i dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt dhe i është konfiskuar pasaporta”.

Po ashtu edhe në Mitrovicën Jugore policia ka arrestuar një person të cili i janë gjetur dhe konfiskuar  dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe janë konfiskuar dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.6 gramë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Pas intervistimit, të gjithë të dyshuarit me urdhër të prokurorit kujdestar janë liruar në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin