Qytetarët që kanë mbetur pa i kryer kreditë e marra nga “Monego” dhe “Iute Credit ”, do të vazhdojnë t`i paguajnë këstet me kamatat e njëjta kundërligjore ndaj BQK-së.
Pavarësisht se normat e larta të interesit kanë qenë arsye kryesore pse iu vu dryri “Monego” dhe “Iute Credit” nga BQK, kjo e fundit vazhdon t`i vjelë njëjtë qytetarët, të cilët nuk i kanë mbyllur ende kreditë.
Absurditeti i tërë kësaj situate është se BQK, e cila vetë e kishte konsideruar këtë veprim të kundërlishëm dhe jashtë çdo standardi të aplikueshëm për normat e interesit në Kosovë, po e vazhdon avazin e njëjtë të “Monego” dhe “Iute Credit Kosovo”, në kurriz të qytetarëve.
Për më tepër, BQK paralajmëron kredimarrësit dënime me shuma të njëjta siç kishin vepruar dy institucionet financiare, për vonesën e pagesës së kësteve.
“Kreditë e marra nga klientët tek çdo institucion financiar i licencuar, rregulluar dhe mbikëqyrur nga BQK-ja duhet të kthehen. Kjo, bazuar në kushtet e kredisë dhe afatet siç specifikohet me kontratën në mes të kredi marrësit dhe kredi dhënësit, ku çdo vonesë në pagesën e kësteve ndikon në rritjen e këstit. E njëjta vlen edhe në rastet kur një institucioni i revokohet licenca (regjistrimi). Për më shumë, likuidatorët e caktuar nga BQK-ja lidhur me institucionet që u janë revokuar regjistrimet së fundmi kanë vendosur informatat nëpër degët e institucioneve përkatëse se ku klientët mund t’i paguajnë këstet kreditore.”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali, gjatë ditëve të kaluara ka raportuar mbështetur në dokumente sesi “Monego” dhe “Iute Credit”, e pas mbylljes së tyre edhe BQK, po aplikojnë kamata marramendëse ndaj mijërave klientëve nevojtarë, të cilët janë “mbështetur për muri” për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale si dhe pamundësisë për tu përballuar me sfidat që u kishte sjellë jeta, përfshirë edhe nevojat për trajtime shëndetësore./Gazeta Sinjali/