image Detaje nga dokumentet që dëshmojnë manipulimin e "Monegos" në kurriz të qytetarëve

Kosovë

Shkeljet/ Detaje nga dokumentet që dëshmojnë manipulimin e “Monegos” në kurriz të qytetarëve

news image

“Monego”, ka shkelur planin e biznesit që e kishte dorëzuar vetë në BQK, më 7 dhjetor 2017, me rastin e aplikimit për regjistrim ku kishte planifikuar që norma efektive e interesit të jetë 26.8 % për kreditë me afat maturimi deri në 30 ditë, përderisa për kreditë me afët mbi 30 ditë, norma efektive e interesit është paraparë të jetë deri në 27. 4%.

Gazeta Sinjali ka siguruar nga burimet, informacione nga raportet e ekzaminerëve të Bankës Qendrore të Kosovës, mbi bazë të të cilave,  iu revokua licenca dy institucioneve financiare jobankare “Monego” dhe “Iute Credit”.

Vendimi u mor më 6 dhjetor 2019, pasi BQK vërtetoi se drejtuesit e këtyre institucioneve, kanë aplikuar norma të interesit në kredi ndaj klientëve, shumëfish më të larta sesa ato të paraqitura në planin e biznesit në BQK, me rastin e aplikimit për të operuar në Kosovë.

Rrjedhimisht tërë kjo skemë manipulimi, ka rënduar në kurriz të qytetarëve, të cilët kanë rënë pre e këtyre veprimeve kundërligjore duke paguar kamata në formë fajdesh, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale.  

Në këtë shkrim, Gazeta Sinjali ndriçon mënyrën e manipulimit të “Monego”, në bazë të gjetjeve të ekzaminerëve të BQK-së. 

Sipas burimeve të gazetës në BQK dhe Monego, akti i revokimit të licencës ndaj këtij institucioni është paraprirë me një varg vërejtjesh, paralajmërimesh dhe vendimesh nga Banka Qendrore, të cilat ishin injoruar në vazhdimësi nga “Monego” ose ishin miratuar pjesërisht.

Revokimi i licencës së Monegos është i mbështetur në raportin e ekzaminimit të këtij institucioni më 5-9 shtator 2019, ku konstatohej se normat efektive të aplikuara të interesit paraqesin devijime substanciale  dhe si të tilla, nuk janë aspak në linjë me planin e biznesit të aprovuar nga BQK.

Në këtë raport shkruhet se “Monego”, në planin e biznesit që e kishte dorëzuar në BQK, më 7 dhjetor 2017, me rastin e aplikimit për regjistrim kishte planifikuar që norma efektive e interesit të jetë 26.8 % për kreditë me afat maturimi deri në 30 ditë, përderisa për kreditë me afët mbi 30 ditë, norma efektive e interesit është paraparë të jetë deri në 27. 4%.

Por, ky plan është shkelur drastikisht nga “Monego”, pasi ekspertët e BQK-së bazuar në mostrën e përzgjedhur për ekzaminim kanë  vërtetuar se kredia me normën efektive më të ulët, duke përjashtuar ato pa interes,- është 81.05% ndërsa më e larta 332.97% duke përfshirë tarifën për shpërndarjen e mjeteve të kredisë në para të gatshme, i cili si shërbim ofrohet me mundësi zgjedhjeje dhe si i tillë nuk duhet të përfshihet në përllogaritjen e normës efektive të interesit, bëjnë të ditura burimet.

Poashtu BQK ka vërejtur se bazuar në planin e pagesave  të bashkangjitura në kontratën me klientë  është vërtetuar se shpalosja e normës efektive të interesit nuk bëhet në pajtueshmëri me rregulloren e BQK-së. Për të pasqyruar këto dallime BQK marr si mostër tri kontrata të kredive.

Sipas rregullores së BQK-së, norma efektive e interesit për kredinë e parë 0037584 duhet të jetë 1,987% përderisa Monego ka shpalosur 462.9. Norma kër kredinë e dytë me numër AG3558041  duhet të jetë 845.7 %ndërsa institucioni ka shpalosur 308.6%. Ndërsa norma për kredinë e tretë me numër AG5471460  duhet të jetë 342.4 përderisa institucioni ka shpalosur 192, thuhet në raportin e ekzaminimit ku përmenden edhe disa vërejtje tjera të cilat ishin zbatuar pjesërisht.

Si përfundim, BQK ka konstatuar se Monego ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren për Regjistrimin Mbikëqyrjen dhe Veprimtaritë e Institucioneve Financiare Jobankare dhe Manualin e Regjistrimit të Institucioneve Mikrofinanciare dhe Institucioneve Financiare Jobankare dhe Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Vendimi për revokimin e licencës i datës 6 dhjetor 2019 kishte pasuar  vendimin e datës 29 mars të këtij viti, ku Monego ishtë dënuar nga BQK me 15 mijë euro pasi kishte injoruar kërkesën për aplikimin e normës efektive të interesit në linjë me planin e biznesit të aprovuar nga BQK me rastin e regjistrimit si institucion financiar jobankar. Në këtë vendim poashtu ju kishte shqiptuar “vërejtja me shkrim”, aksionarëve, anëtarëve të bordit të drejtorëve dhe kryeshefit të  Monegos. Për të dy vendimet ndëshkuese, herën e parë më 9 janar 2019 dhe 20 shtator 2019 ky institucion ishte paralajmëruar me shkrim për qëllimin e shqiptimit të masave ndëshkimore administrative. 

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Monegos e kanë konsideruar të paqëndruyshëm dhe të padrejtë vendimin për revokimin e licencës nga BQK. Ata kanë kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme që do t’i lejonte investitorit të Monego të drejtojë biznesin e tij, derisa gjykata të vendosë nëse vendimi i Bankës Qendrore ishte i ligjshëm./Gazeta Sinjali/