image Bota e sportit proteston për vdekjen e George Floyd

Futboll

Bota e sportit proteston për vdekjen e George Floyd

news image

Futbollistët e Liverpoolit bënë të hënën përshëndetjen ulur në një gju në qendër të stadiumit të tyre “Anfield”, ashtu si shumë ikona të tjera të sportit botëror, që kanë shprehur mbështetjen ndaj protestave pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis. 

Fotoja e 29 lojtarëve të klubit erdhi me komentin “Bashkimi është forcë. #BlackLivesMatter”. Sipas raportimeve futbollistët e kishin kërkuar sot foton zyrtare.

Ish sulmuesi i kampionatit të futbollit amerikan, Colin Kaepernick, protestoi i pari ndaj brutalitetit të policisë, duke u ulur në një gju gjatë himnit amerikan në verën e vitit 2016. Prej atëherë gjesti është kthyer në një simbol të lëvizjes për të drejtat e njerezve me ngjyrë ‘Black Lives Matter’.

Gjithashtu lojtarët e Manchester United, Paul Pogba e Marcus Rashford protestuan kundër racizmit. Kampioni francez i botës Pogba tha se ndiente “zemërim, mëshirë, urrejtje, indinjatë, dhimbje e trishtim”. Shoku i tij i skuadrës, Marcus Rashford, shkruante se “po përpiqem të reflektoj mbi një proces të gjerë që po ndodh në botë”.

Ndërsa pilotët e kampionatit Formula 1, Charles Leclerc, Lando Norris, Carlos Sainz, George Russell e Daniel Ricciardo publikuan një mesazh të përbashkët anti-racizëm në mediat sociale, pas atij të kampionit të botës Lewis Hamilton i cili kritikoi krerët e industrisë që nuk ishin shprehur mbi çështjen.