Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Perëndimi duhet të kufizojë mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin, të zgjerojë aktivitetin e tij ushtarak përtej Ukrainës.
Sipas tij ka shqetësime serioze, sepse zgjerimi i aktivitetit ushtarak të Putinit mund të jetë në drejtim të ndonjë shteti të NATO-s apo ndonjë shtetit tjetër.
“Po punojmë për ta arritur një balancë të vështirë. Në njërën anë po përpiqemi që të mbështesim Ukrainën dhe në anën tjetër që ta ndalojmë një luftë më të madhe. Askush s’duhet t’i jap arsye Putinit, sepse ai mund ta zgjerojë aktivitetin e tij ushtarak. Mund të jetë në drejtim të një shteti të NATO-s apo ndonjë shteti tjetër”, ka thënë Borrell në një intervistë për edicionin turk të CNN.
“Ne duhet ta izolojmë Rusinë nga komuniteti ndërkombëtar, duhet ta mbështesim Ukrainën”, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se Ukraina përket në gjirin e familjes evropiane, duke thënë se BE i është përgjigjur pozitivisht aspiratave të Kievit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Po, ne kemi thënë se Ukraina i përket familjes evropian. Ky është një fakt i dukshëm, gjeografikisht dhe historikisht. Janë disa procedura, por e kemi nisur këtë proces”, ka thënë ai.