image Bojkotimi i mësimit në gjimnazin "Sami Frashëri" vazhdon edhe sot/ Reagon Këshilli i Prindërve

Arsim

Bojkotimi i mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri” vazhdon edhe sot/ Reagon Këshilli i Prindërve

news image

Bojkotimi i procesit mësimor nga profesorët në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë ka vazhduar edhe sot, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së emërimit të drejtoreshës së re, shkruan Gazeta Sinjali.

Profesorët e këtij gjimnazi në kryeqytet po e kundërshtojnë emërimin e drejtoreshës Fahrije Retkoceri, pasi sipas tyre është emëruar jashtëligjshëm.

Lidhur me këtë bojkot të procesit mësimor, ka reaguar Këshilli i Prindërve në Prishtinë, duke thënë se kërkesat e mësimdhënësve për bojkotimin e mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, janë të pajustifikueshme.

Përmes një postimi në Facebook, kryesia është shprehur se çështjet e tilla duhet të trajtohen nga organet përgjegjëse, dhe se “vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë, shfaq dhe tregon për prezencë në ndikimin që kanë strukturat joformale”.

Kryesia u ka bërë thirrje institucioneve vendimmarrëse të marrin masa ndaj bojkotit dhe mësimi të rifillojë.

Reagimi i plotë:

Reagim për bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë

Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë.

Arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri, në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse. Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona, dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve intitucionale.

Në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes.

Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme!

Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe fillimi të rifillojë. /GazetaSinjali/