BMW ka zbuluar specifikime të reja teknike për modelin e saj të ardhshëm elektrik.
Gjigandi bavarez do të lansojë në treg limuzinën elektrike i4 në vitin 2021. BMW i4 do të ketë një motor elektrik me 523 kuaj fuqi, me autonomi 600 km sipas standardit të ri WLTP. Për krahasim, BMW SUV iX3 elektrik ka një autonomi 400 km, ndërsa modelet krahasuese Tesla, Mercedes dhe Audi kanë 400 km autonomi sipas matjes WLTP.
E pajisur me një paketë baterie prej 80 kWh, BMW i4 do të arrijë 100 km/orë për rreth katër sekonda, ndërsa shpejtësia më e lartë do të jetë mbi 200 km/orë. Në varësi të performancës dhe autonomisë, i4 gjithashtu do të jetë i disponueshëm me bateri më të mëdha, transmeton KosovaPress.
Platforma në të cilën do të bazohet i4 elektrike do të mbështesë kapacitetet e mbushjes deri në 150 kW. Kjo do të lejojë që bateria të ngarkohet deri në 80% kapacitet në rreth 35 minuta, që do të thotë 100 km autonomi për çdo gjashtë minuta të karikimit.
BMW ka projektuar i4 për të mbushur hendekun midis modeleve të tij pionierë i3 dhe i8, si dhe sedan tradicionalë të serive 3 dhe 5.
BMW deri më tash ka shitur mbi 300.000 automobila elektrikë në të gjithë botën, me synimin për forcimin e mëtejmë të këtij segmenti./Gazeta Sinjali/