image Blinken: Rusia ka dërguar më shumë forca në kufi, pushtimi i Ukrainës mund të ndodhë në çdo çast

Botë

Blinken: Rusia ka dërguar më shumë forca në kufi, pushtimi i Ukrainës mund të ndodhë në çdo çast

news image

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia vazhdon të mbledhë trupa në kufi me Ukrainën dhe mund të nisë pushtimin në çdo moment, duke përfshirë edhe periudhën sa mbahen Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin.

Ai ka thënë se Uashingtoni vazhdon të “tërheqë” stafin e ambasadës nga Kievi dhe ka përsëritur thirrjen e Departamentit amerikan të Shtetit që shtetasit amerikanë të largohen nga ky shtet menjëherë.

“Thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja të turbullta të përshkallëzimit rus, duke përfshirë arritjen e forcave të reja ruse në kufirin ukrainas”, ka thënë Blinken në një konferencë në qytetin Australian, Melbërn më 11 shkurt.

“Siç e kemi thënë më parë, ne mund të përballemi me pushtim në çdo kohë, dhe të jem i qartë, aty përfshihet edhe periudha e Lojërave Olimpike Dimërore”.

Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë të largohen nga ky shtet menjëherë, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.

“Shtetasit amerikanë duhet të largohen tani”, ka thënë Biden të enjten për NBC News.

“Ne po përballemi me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Është situatë krejt ndryshe dhe gjërat mund të përshkallëzohen shpejt”.

I pyetur nëse ekziston një skenar që mund ta shtyjë atë të dërgojë trupa ushtarake për t’i shpëtuar amerikanët, Biden ka thënë se nuk ka.

“Bëhet luftë botërore kur amerikanët dhe rusët nisin të shtëna ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi në një botë krejt ndryshe prej asaj që kemi qenë”.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht se ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit.

Ndërkohë Rusia ka nisur edhe stërvitjet masive ushtarake me shtetin fqinj, Bjellorusinë./REL

/GazetaSinjali/