image Blinken kërkon tërheqjen e trupave ruse

Botë

Blinken kërkon tërheqjen e trupave ruse

news image

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës po intensifikohen. Përmes një telefonate ministri i Jashtëm i SHBA dhe homologu i tij rus sërish u përpoqën të gjejnë mënyrat për zbutjen e tensioneve.

Gjatë një bisede telefonike ministri Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken insistoi për një”ulje të menjëhershme të tensionit nga pala ruse dhe tërheqjen e ushtarëve dhe armatimeve nga kufiri me Ukrainën”. Këtë e vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ned Price në Uashington. Një ndërhyrje ruse në vendin fqinj do të “kishte pasoja të menjëhershme dhe serioze”, paralajmëroi Blinken, sipas këtyre të dhënave. Në këtë krizë “Rusia duhet të vazhdojë të ndjekë rrugën diplomatike”.

Blinken theksoi sërish në bisedën telefonike me homologun rus Sergej Lavrov mbështetjen e SHBA-së “për sovranitetin dhe integritetin territorial” të Ukrainës si dhe të drejtën që ka secili vend për të vendosur vet mbi “politikën e jashtme dhe aleancat”. Kjo e fundit i referohet ambicieve të ukrainës për anëtarësim në NATO, gjë që Rusia e refuzon kategorikisht. Blinken theksoi njëkohësisht gatishmërinë e qeverisë së SHBA-së për konsultime të mëtejshme me Rusinë lidhur me temat e sigurisë.

Lavrov i referohet parimit të OSBE-së

Në të kundërt Lavrov tha, se vendi i tij insiston që të bisedohet për çështjet e sigurisë në Europë. Perëndimi nuk mund të realizojë interesat e veta të sigurisë në kurriz të interesave ruse. Shtetet e OSBE-së kanë pranuar si të detyrueshëm parimin “e sigurisë së pandashme”, theksoi ai. “Kësaj i përmbahet Rusia.” Janë të nevojshme bisedimet lidhur me atë, se “përse Perëndimi nuk do t’i përmbushë detyrimet e veta”.

SHBA dhe NATO javën e kaluar iu përgjigjën me shkrim kërkesave ruse për “garanci për sigurinë”. Ata e hodhën poshtë një deklaratë të kërkuar nga presidenti rus Vladimir Putin që NATO të heqë dorë nga zgjerimi i mëtejshëm në Lindje si dhe të tërheqë armët e SHBA-së nga vendet e ish-sferës sovjetike Uashingtoni dhe NATO. Por Blinken theksoi, se SHBA i ka treguar palës ruse një “shteg serioz diplomatik” për t’i dhënë fund krizës.

Sipas të dhënave të përfaqësuesve të qeverisë së SHBA-së, Rusia ndërkohë po vazhdon lëvizjet masive të trupave në kufirin me Ukrainën dhe po planifikon gjithashtu përforcimin e trupave të veta në Bjellorusi në afërsi me kufirin ukrainas. Kremlini i përgënjeshtron planet për sulm sa i përket Ukrainës, por njëkohësisht parashtron se ndihet i kërcënuar prej NATO-s.

Pakt trilateral sigurie

Ndërkohë Britania e Madhe, Polonia dhe Ukraina, sipas të dhënave të qeverisë në Kiev, po përgatisin një pakt trilateral sigurie. Këtë e vuri në dukje kryeministri i Ukrainës Denys Schmygal gjatë një vizite të homologut të tij polak Mateusz Moraviecki në Kiev. Polonia dhe Britania e Madhe i kanë ofruar Ukrainës furnizime me armë e municione, që vendi të mund të mbrohet më mirë në rast të një sulmi rus. Kryeministri polak deklaroi në Kiev, Polonia do të furnizojë në Ukrainë armë e municione, ndër të tjera edhe dhjetra mijëra granata, municion artilerie, sisteme të mbrojtjes nga ajri dhe dronë zbulimi.

Ukraina do të zmadhojë ushtrinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj në kulmin e tensioneve me Rusinë do të ristrukturojë ushtrinë dhe ta bëjë profesionin e ushtarakut më tërheqës. Një dekret përkatës ai e nënshkroi në Kiev. Konkretisht Selenskyj do që deri në vitin 2025 ta rrisë numrin e forcave të armatosura me rreth 100.000 trupa shtesë. Aktualisht trupat janë rreth 265 000. Po ashtu gradualisht do të rriten pagat në ushtri.

Intensifikohen përpjekjet diplomatike

Në kuadër të ofensivës diplomatike kryeministri i Italisë Mario Draghi bisedoi me presidentin rus Putin. Sipas të dhënave italaine, të dyja palët kanë theksuar, se është e domosdoshme të krijohet një klimë e besimit reciprok. Gjatë bisedës telefonike me Putinin, Draghi theksoi, se është e nevojshme të ulen tensionet. Në rast të kundërt mund të ketë pasoja serioze. Edhe qeveria gjermane i ka bërë thirrje Rusisë të ndërmarrë hapa për zbutjen e situatës.

Putin kritikon Perëndimin

Kreu i Kremlinit kritikon Perëndimin, se po i injoron interesat ruse të sigurisë. Putin pas takimit në Moskë me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, nënvizoi, se Perëndimi nuk i kushton vëmendje parimit “të sigurisë së pandashme” në Europë. Putin ritheksoi, se një vend nuk mund të realizojë interesat e veta të sigurisë në kurriz të një vendi tjetër. Ai kritikoi gjithashtu, faktin që NATO e ka refuzuar kërkesën e Rusisë për të ndalur zgjerimin e saj në Lindje./DW

/GazetaSinjali/