Biznesmeni i njohur kosovar, Kushtrim Krasniqi i cili u arrestua nën dyshimet për “mundësim apo detyrim në prostitucion” është vëllai i ish-zëvendësdrejtorit të gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për sulm seksual të një nxënëseje, shkruan Gazeta Sinjali.
Kushtrim Krasniqi, 43-vjeçar u arrestua më 5 prill bashkë me tri vajza të moshave 20 dhe 22-vjeçare pasi dyshohen se për gati 7 muaj shfrytëzuan një të mitur për prostitucion.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se biznesmeni Krasniqi nga Drenoci i Malishevës është pronar i disa kompanive në Prishtinë, Prizren, Kaçanik e Fushë Kosovë, derisa dikur njihej si pronar i kompanisë së sigurimit fizik “Rojet e Nderit”. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Kushtrim Krasniqi rezulton të jetë pronar i nëntë kompanive që veprojnë në vendin tonë.
Edhe vëllai i Kushtrimit, Atom Krasniqi në telashe me shtetin
Muaj më parë vëllai i Kushtrimit, Atom Krasniqi ra po ashtu në prangat e Policisë, si i dyshuar se ka kryer veprën penale “sulm seksual” ndaj një nxënësje në shkollën ku shërbente.
Atom Krasniqi Kushtrim Krasniqi
Ndaj Atom Krasniqit, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për rastin e 16 dhjetorit të vitit 2021, i cili në cilësi të zëvendësdrejtorit të shkollës, me qëllim seksual dhe pa pëlqimin e nxënëses, e kishte prekur të njëjtën në banjon e shkollës, ku kishte filluar ta sulmonte seksualisht. Prokuroria ka njoftuar se aktakuza ndaj tij është ngritur në shkurt të këtij viti.
Derisa për vëllain e tij, pronar i 9 bizneseve në Kosovë, Kushtrim Krasniqin, Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, pasi dyshohet se shfrytëzoi një të mitur për prostitucion nga muaji tetor i vitit të kaluar deri në ditën kur është kapur.
Detajet ekskluzive lidhur me rastin ku është i përfshirë biznesmeni Kushtrim Krasniqi i gjeni në linkun e mëposhtëm.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.