image Biznesmeni i akuzuar për vilat e ndërtuara në Brezovicë ishte cak i vjedhjes, hajnat i shkaktojnë dëme rreth 15 mijë euro

Siguri

Biznesmeni i akuzuar për vilat e ndërtuara në Brezovicë ishte cak i vjedhjes, hajnat i shkaktojnë dëme rreth 15 mijë euro

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një rast të vjedhjes që ka ndodhur së fundi në Shtëprcë, ku cak i hajnave ka qenë një vilë në Brezovicë. Pronari i vilës, i cili është nga Prishtina ka deklaruar në Polici se hajnat kanë arritur që të marrin pajisjet e ngrohjes në vlerë prej rreth 15 mijë eurove.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për vilën e afaristit të njohur, Alban Quka, kompania e të cilit ka ndërtuar një numër të madh të vilave e hoteleve në zonën turistike të Brezovicës, të cilat janë në listën e të sekuestruarave.

Kompania ‘Quka Co’ është përmendur në disa raste të shkatërrimit të natyrës në Brezovicë, pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin ka kryer gërmimet dhe prerjen e pyjeve në Parkun Sharri.

E Prokuroria Themelore në Ferizaj më 31 korrik të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Alban Qukës, i cili akuzohej se që nga viti 2014 ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme disa parcela të cilat gjenden në Brezovicë.

Sipas aktakuzës, Quka ka rrënuar objektin e vjetër dhe më pas ka ndërtuar një të ri të cilin ua ka shitur personave të tretë, duke ia pamundësuar të dëmtuarës të shfrytëzojë pronën e saj.

Ai së fundi ka denoncuar në Polici për rastin e vjedhjes që iu bë pronës së tij, ku ndër të tjera ka deklaruar se nuk dyshon te ndonjë person i caktuar që mund ta ketë kryer vjedhjen.

Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, teksa janë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Veprimet e tjera do të ndërmerren posa Policia të identifikojë dhe t’i arrestojë të dyshuarit.

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

/GazetaSinjali/