image Bislimi sqaron shpalljen e konkursit për drejtor të Doganës së Kosovës

Kosovë

Vendimi/ Bislimi sqaron shpalljen e konkursit për drejtor të Doganës së Kosovës

news image

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislmi, ka sqaruar shpalljen e konkursit për drejtor të Përgjithshëm të Doganës, duke thënë se nuk ka të bëjë personalisht me tani ish-drejtorin, Bahri Berisha.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj më 24 janar të këtij viti ia kishte zgjatur mandatin për 3 vjet drejtorit, Bahri Berisha.

Ministri Bislimi ka shkruar se ai e ka autorizuar hapjen e konkursit për pozitën e drejtorit të Doganës, duke i paraprirë edhe kryeministrit Kurti me anulimin e vendimit i cili ishte marrë në janar të këtij viti.

“Në përputhje me autorizimet e mia si ministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, kam udhëzuar administratën e ministrisë që të shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës. Këtij vendimi i ka paraprirë një vendim tjetër i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i datës 7 shkurt, me të cilin është anuluar vendimi i ish kryeministrit në detyrë, i datës 24 janar, përmes të cilit i ishte vazhduar kontrata drejtorit ekzistues”, ka shkruar Bislimi.

Ministri thotë se kjo nuk ka të bëjë me drejtorin e tanishëm të Doganës dhe se për të ka respekt të veçantë.

“Këto dy vendime në asnjë rrethanë nuk e predikojnë performancën e drejtorit ekzistues. z. Bahri Berisha, për të cilin ruaj respekt të veçantë. Drejtorit aktual i ka skaduar mandati dhe procedurat kërkojnë hapje të konkursit, e në të cilin unë e inkurajoj fuqishëm që të aplikojë”, ka shkruar ministri i Financave. /Gazeta Sinjali/