image Bislimi: Çështjen e kamionit të bllokuar mbrëmë në Beograd do ta ngris te Komisioni Evropian

Politikë

Bislimi: Çështjen e kamionit të bllokuar mbrëmë në Beograd do ta ngris te Komisioni Evropian

news image

Një kamion i një prodhuesi kosovar u bllokua mbrëmë në Serbi, derisa po transportonte mallra për në Gjermani, vetëm për shkak se në dokumentet përcjellëse shkruante Republika e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, përmes marrëveshjes së re të nënshkruar së fundi në Bruksel, autoritetet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të zyrës së zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, po nuk ka pranuar ende përgjigje.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook, Panxha ka bërë të ditur se me këtë rast është i njoftuar edhe Bislimi, i cili i ka thënë se çështjen e kamionit do ta ngrit te Komisioni Evropian.

Kreu i Klubit të Prodhuesve të Kosovës ka shkruar se me rastin është njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit, derisa nga Ministria e Tregtisë thotë se është kontaktuar për të raportuar në CEFTA.

Që nga publikimi i statusit për bllokimin e kamionit me prodhime të Kosovës në pikën kufitare me Serbinë:

1. Jemi kontaktuar nga zv.kryeministri Besnik Bislimi që ka marrë informata shtesë për të ngritë çështjen te Komisioni Evropian.

2. Jemi kontaktuar nga Shefi i Kabinetit të kryeministri, Luan Dalipi, për të marrë më shumë informata në lidhje me rastin.

3. Jemi kontaktuar nga Zef Dedaj nga Ministria e Tregtisë për të raportuar rastin në CEFTA.

4. Jemi kontaktuar nga Dogana e Kosovës për të marrë më shumë detaje në lidhje me rastin. Kjo qasje nga institucionet e Republikës së Kosovës është me të vërtetë për t’u lavdëruar“, shkroi ai në Facebook.

Panxha i ka lutur të gjithë prodhuesit dhe transportuesit që të raportojnë pa frikë për çdo problem që mund të hasin në pikat kufitare.

“Vetëm në formë të dokumentuar mundemi t’i prezantojmë problemet qe i hasim me shtetin serb”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/