image Bie niveli i liqeneve akumuluese, apelohet për kursim të ujit

Kosovë

Njoftim/ Bie niveli i liqeneve akumuluese, apelohet për kursim të ujit

news image

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë  se si pasojë e mungesës së reshjeve të shiut ka rënë edhe niveli i ujit  në liqenet akumuluese. Për këtë arsye ai ka apeluar tek të gjithë konsumatorët që të kursejnë ujin dhe të mos e keqpërdorin, në të kundërtën nuk do të tolerohen këto keqpërdorime.

Xhafa ka thënë se po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që askush mos ta ndiejë mungesën e ujit.

“Niveli i liqeneve akumuluese ka rënë dukshëm si pasojë e mungesës së reshjeve dhe nivelet nuk janë të kënaqshme dhe janë nivele shqetësuese të liqeneve tona apo burimeve tona që po shfrytëzojmë. Por pavarësisht kësaj ne po shfrytëzojmë gjitha kapacitetet tona që askush të mos e ndjejë mungesën e ujit. Ka qenë qyteti i Lipjanit deri në fillim të muajit që po lëmë që ka pasur mungesa të furnizimit si pasojë edhe e thatësisë edhe disa problemeve tjera por që fatmirësisht me ekipet tona kemi arritur që t’i sanojmë dhe sot Lipjani furnizohet pa ndërprerë 24 orë edhe aj si qytet me rrethinë”, tha ai, për EO.

Xhafa më tutje ka shtuar se ka ujë të mjaftueshëm në të gjitha lagjet e Prishtinës, përveç në raste kur ka defekte, apo kur uji fillon të keqpërdoret.

“Po ka ujë të mjaftueshëm nëpër të gjitha lagjet dhe këtë mund tua garantojë, furnizimi është 24 orë në të gjitha lagjet, përveç në raste kur ka defekte edhe ekipet tona duhet të ndërhyjnë ose në raste të jashtëzakonshme kur konsumi tejkalon vlerat normale kur fillon të keqpërdoret uji, qoftë për ujitje apo për larje rrugësh. Dhe ndodh që disa pika të larta të ndiejnë mungesën e ujit. Kjo nuk është pasojë e jona që ne e ndërpresim trajtimin ose ndërpresim furnizimin por është pasojë e konsumit jashtë linjave normale prej të cilave pastaj pësojnë disa konsumatorë”, shtoi ai.

“Ne kemi një obligim ligjor sipas rregullativës të aprovuar nga autoriteti rregullativ për ujëra ku presioni ujit në pikën e kyçjes duhet të sillet në intervalen nga 1.5 deri në 1.7 bar, që nënkupton se në disa raste ne presionin e dërgojmë mbi 1.5 bar por 1.5 bar nuk garanton që furnizimi arrin në katet e mësipërme”,  tha ai.

Ai ka apeluar te të gjithë konsumatorët që të kursejnë ujin dhe të mos e keqpërdorin, në të kundërtën nuk do të tolerohen këto keqpërodrime.

“Fatkeqësisht po kjo ka ndodh sidomos në fundjavën që lam pas sepse temperaturat kanë qenë relativisht të larta për stinën apo sezonin që po kalojmë dhe keqpërdorimet janë evidente për shkak të pandemisë keqpërdoruesit nuk zgjedhin kohë dhe e keqpërdorin edhe në kohë pandemie edhe jashtë pandemisë mirëpo ne nuk do ti tolerojmë këto keqpërdorime”

Mes tjerash ai ka thënë që sipas ligjit çdo person i cili e keqpërdor ujin shkon si vepër penale dhe pastaj mund të dënohet deri në 3 vite me burg.

“Ligji e definon shumë qartë çdo person i cili keqpërdor ujin shkon si vepër penale dhe pastaj mund të dënohet deri me 3 vite burg dhe nuk do ta kursejmë askënd sepse ne po bëjmë çmos t’i furnizojmë dhe po dalim edhe përtej limiteve tona”, është shprehur ai.

Xhafa tha se stafi janë të pajisur me masat mbrojtëse personale si maska dhe dorëza. Xhafa tha se janë liruar nda puna disa punëtor për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.