Presidenti amerikan, Joe Biden, u dëgjua duke lëshuar fjalë të këqija në drejtim të një gazetari të kanalit Fox, pas një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë të hënën pasdite.
Mediat e huaja raportojnë se komenti i tij erdhi pasi gazetarët po bënin pyetje derisa dilnin nga dhoma Lindore pas një takimi të Këshillit të Konkurrencës në Shtëpinë e Bardhë mbi përpjekjet për të ulur çmimet.
Korrespodenti i Fox për Shtëpinë e Bardhë, Peter Doocy, e pyeti Bidenin: “A do ta pranoni një pyetje mbi inflacionin…? A mendoni se inflacioni është një përgjegjësi politike në terma afatmesëm?”.
“Është një aset i madh – më shumë inflacion”, tha Biden. “Çfarë idioti, bir bushtre”.
Doocy ndërkohë tha në Fox të hënën vonë në mbrëmje se Biden e telefonoi atë për t’i kërkuar falje për komentin.
“Brenda rreth një ore nga ai shkëmbim, ai më telefonoi dhe më tha: ‘Nuk kam asgjë personale’”, tha Doocy.
“Unë e vlerësova. Patëm një telefonatë të mirë”, shtoi ai./GazetaSinjali/