image Biden urdhëron të gjithë ndihmën e nevojshme për Turqinë pas tërmetit

Evropë

Biden urdhëron të gjithë ndihmën e nevojshme për Turqinë pas tërmetit

news image

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden urdhëroi ekipin e tij të hënën që t’i ofrojë Türkiye-s të gjithë ndihmën e nevojshme dhe të monitorojë nga afër situatën në vendin e goditur nga tërmetet shkatërruese, raporton Anadolu.

“Jam thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura dhe shkatërrimi i shkaktuar nga tërmeti në Turqi dhe Siri”, shkroi Biden në Twitter.

“Kam udhëzuar ekipin tim që të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në koordinim me Türkiye-n dhe të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme”, shtoi ai.

Të paktën 1.121 persona kanë humbur jetën dhe 7.634 të tjerë janë plagosur në 10 provinca pas tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën jugore të Turqisë sot, sipas Agjencisë së vendit për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD).

Në orët e hershme mëngjesin e sotëm, një tërmet me magnitudë 7.7 ballë, epiqendra e të cilit u regjistrua në qarkun Pazarcik, goditi provincën Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca të tjera, përfshirë Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Ai u pasua nga një tërmet 7.6 ballë në orën 13:24 sipas kohës lokale që ishte gjithashtu në provincën Kahramanmaraş, në qarkun Elbistan.

Yunus Sezer, kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se kanë ndodhur gjithsej 105 pasgoditje, ndërsa janë shembur 2.824 ndërtesa që nga lëkundjet e para.

/GazetaSinjali/