image Biden thumbon Putinin në ndejën me gazetarë: Mund të bëni humor me mua, nuk shkoni në burg

Botë

Biden thumbon Putinin në ndejën me gazetarë: Mund të bëni humor me mua, nuk shkoni në burg

news image

Në darkën për korrespodentët, e cila po mbahet pas dy vitesh ndërprerje, për shkak të pandemisë, presidenti amerikan Joe Biden, foli para gazetarëve që raportojnë nga lufta në Ukrainë, duke rikujtuar se në ditët e sotme, shtypi i lirë ka rëndësi më shumë se kurrë.

Në këtë darkë morën pjesë gazetarë, drejtues të medias, zyrtarë të administratës dhe shumë personazhe të njohur të jetës publike.

Presidenti Joe Biden e nisi fjalimin me batuta rreth moshës së tij, anketat që vlerësojnë punën e administratës si dhe mbi mediat kritike.

Por gjithçka mori një ton tjetër, kur presidenti Biden foli për gazetarët që raportojnë nga lufta në Ukrainë.

Ne të gjithë e kemi parë guximin e popullit ukrainas për shkak të guximit të gazetarëve amerikanë në këtë dhomë dhe kolegëve tuaj në mbarë botën, që janë në terren, që kanë marrë në dorë fatet e tyre. Ka një dezinformim masiv në rritje, ku e vërteta varroset nga gënjeshtra dhe gënjeshtrat jetojnë si të vërteta. Një gjë është e qartë shtypi i lirë është më i rëndësishëm se kurrë”, theksoi Biden.

Nëpërmjet shakasë Biden dha edhe një mesazh për presidentin rus, teksa i tha komedianit Trevor Noah se mund të bënte batuta me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe “ai nuk do të shkonte në burg, si në Moskë”.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u themelua në vitin 1914 dhe ka zhvilluar darka pothuajse çdo vit që nga viti 1921, për të festuar me gazetarët që mbulojnë presidencën. Darka vjetore mbledh fonde për bursa universitare.

Donald Trump ishte i pari president amerikan që nuk mori pjesë për 4 vite në këtë aktivitet. Përpara tij, edhe Ronald Reagan nuk mori pjesë në një darkë të tillë pasi po merrte veten pas një atentati ndaj tij në vitin 1981. 

/GazetaSinjali