Anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri po pretendon se idenë për 15 ministri, kryetari i LVV-së, Albin Kurti e ka marrë nga ai.
Sipas Tahirit, ai e ka propozuar kohë më parë këtë ide.
“15 ministri unë e kam prezantuar, është ideja ime, është propozim i imi, gjithë kohën janë sjellë në këtë temë. Realisht po Kurti ma ka vjedh idenë e ka marrë idenë time, gjithnjë kanë thënë 12 ministri në fund kanë ardh në idenë eksplicite time”, ka thënë Besnik Tahiri për Gazetën Sinjali.
Tahiri ka shtuar se gjatë fushatës zgjedhore VV-ja e ka proklamuar se qeveria e re do t’i ketë vetëm 12 ministri ndërsa sipas anëtarit të AAK-së e morën modelin e prezantuar nga ai me Ligjin e Qeverisë me 15 ministri.
“Krejt fushatën zgjedhore e proklamuan para populli se do të bëjnë qeveri me 12 ministri, në fund e morën modelin e prezantuar nga unë me Ligjin e Qeverisë me 15 ministri”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i LVV-së, Albin Kurti kanë njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për koalicion ndërmet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokatike të Kosovës për formimin e qeverisë. /Gazeta Sinjali/