image Besa Kokëdhima përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion

Muzikë

Besa Kokëdhima përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion

news image

Në edicionin e 68 të Eurovizionit, që do të mbahet në Malmo të Suedisë, Shqipëria do të përfaqësohet me këngën “Zemrën n’dorë” të kënduar nga Besa Kokëdhima.

Kjo këngë ishte më e votuara nga publiku në edicionin e 62-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili u fitua nga këngëtari i ri, Mal Retkoceri me këngën “Çmendur”.

“Zemrën n’dorë” është një kompozim i vetë Besa Kokëdhimës me producentin Kledi Bahiti.

“Faleminderit nga zemra, faleminderit familjes sime. Faleminderit shumë Kledi Bahiti, Darko Dimitrov, Rozana Radi, Petrit Sefaj, Erjon Zaloshnja dhe orkestrës, si dhe Bojken Lakos që është një perlë dhe që është një nga arsyet që kam marrë pjesë në Festival sivjet. Ju falënderoj shumë, të gjithëve. Dhe faleminderit për mbështetjen të gjithëve do të bëj të pamundurën”, u shpreh Besa Kokëdhima pasi mori “biletën” për në Suedi, shkruan “A2cnn”.

Ndërkaq edhe Mal Retkoceri pati disa fjalë me t’u shpallur fituesi i këtij edicioni të Festivalit të Këngës.

“Shumë faleminderit, shumë faleminderit jurisë. Këngën e kam bërë prej zemrës. E kam interpretuar prej perspektivës së një personi që e dua shumë, prej nënës sime. E kam shkruar për të gjithë ata persona që janë të shkelur prej personave të tjerë dhe që i përdorin për sende personale të tyre. E mira dhe e vërteta, del”, u shpreh Retkoceri pasi mori trofeun e festivalit.

Ndërkohë, çmimi i dytë i Festivalit u fitua nga Tiri Gjoci me këngën “Në ëndërr”, ndërsa këngëtari Shpat Deda fitoi çmimin e tretë me këngën “S’mund të fitoj pa ty”.

/GazetaSinjali/