Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një intervistë për CNN ka thënë se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shërbyer si ministër i Propagandës për regjimin e Millosheviqit.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar presidentja e Serbisë, Ana Bërnabiq duke ia bërë të njëjtën akuzë që presidentja kosovare ia bëri presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – për propagandë.
Osmani, në intervistën me gazetaren e njohur Christiane Amanpour, e theksoi një fakt të Vuçiqit që ai ka qenë ministër për propagandë në regjimin e kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, si dhe vuri në dukje bashkëpunimin e tij të ngushtë me Rusinë për blerje të armatimit.
“Më lejoni t’ia kujtoj secilit që presidenti aktual i Serbisë ka shërbyer si ministër i Propagandës për regjimin e Millosheviqit, kështu që ai është shumë i zoti për të bërë atë lloj propagande që mbështetet nga Rusia. Në këto 10 vitet e fundit, ai ia ka dalë ta rrisë bashkëpunimin ushtarak, politik dhe ekonomik me Rusinë, në nivele që nuk kanë ekzistuar asnjëherë më parë”, ka thënë dje Osmani në CNN.
Bërnabiq më shumë i pa si destabilizuese deklaratat e Osmanit për realitetin serb sesa vetë armatosjen e shtetit të saj.
“Propaganda dhe dezinformimi i Vjosa Osmanit në CNN vazhdon të destabilizojë të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mesazhet e papërgjegjshme në një kohë kaq delikate për rajonin dhe botën nuk po i ndihmojnë askujt”, ka shkruar Bërnabiq.
Bërnabiq shfrytëzoi edhe mosarritjen e një marrëveshje për votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet serbe të 3 prillit.
“Mesazhe të tilla po jepen nga ata që u mohojnë serbëve të drejtat themelore, siç është e drejta për të votuar në zgjedhjet e fundit”, tha ajo.