Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve, Veton Berisha, ka deklaruar se nuk e ka ende të qartë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndaj parashtrimit të rastit të tij.
Ai ka thënë se do ta pres versionin final, për t’u qartësuar në tërësi ky vendim.
“Akoma nuk e kam të qartë, pjesa e parë për Kinollin doli e papranueshme. Në pjesën time thotë që duhet të vendoset në meritore, po e presim dokumentin final, sigurisht do të ketë qartësi. Jam shumë i lumtur që i kam bërë shërbim vendit, për faktin që kam luftu një dukuri që ka qenë krim politik, kjo do t’i kushtojë Kosovës, për vendimin që është marrë që nuk është lëshu në trajtimin real”, ka thënë ai.
Berisha, tha se ai ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të orkestrimit të votave.
“Ka pas koordinim të Listës Serbe dhe partive të komuniteteve të afërta me to, të cilat kanë arrit për pak kohë që me u regjistru dhe me marrë vota të konsiderueshme, p.sh. partia boshnjake në zonat ku nuk ka boshnjakë, partia rome ku nuk ka aq boshnjakë sa ka vota. Rezultati ka qenë shumë i lartë në raport me gjendjen reale. Edhe PZAP dhe Supremja, ka konstatu se ka pasur orkestrim të votave. Vendimi është i çuditshëm, thotë vota e lirë, nëse ne s’kemi të drejtë a i bjen që zonja Hoxhiq ka të drejtë, sepse asaj iu kanë marrë votat”, ka thënë ai.
Ai deklaroi se e pranon vendimin, teksa shtoi se nëse është i drejtë do të shihet në zgjedhjet e ardhshme.
Berisha tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që nuk i dha të drejtë kërkesës së tij, e ka cenuar demokracinë në shtetin e Kosovës.
Ai ishte ankuar në Gjykatë, me pretendimet se Lista Serbe, i kishte orkestruar votat e qytetarëve.
Berisha u shpreh, me vendimin e fundit, komunitetet pakicë nuk do ta kenë përfaqësimin e duhur në Kuvendin e Kosovës.
“E njëjta mund të ndodh nga partitë, shqiptare dhe serbe. Sot është cenu demokracia në vend, sot është pengu trajtimi pozitiv i komuniteteve joserbe në Kosovë. Sot komunitetet joserbe në Kosovë, e kanë të pasigurtë përfaqësimin e tyre. Në zgjedhjet e ardhshme unë pres, që Lista Serbe dhe partitë të tjera, me vendimin e sotëm secili ka të drejtë të organizojë persona lojalë, të orkestrojë vota, t’i detyroj njerëzit të votojnë persona që nuk lidhen asgjë me të. Mendoj që komunitetet nuk do ta kenë përfaqësimin e duhur, kam qenë viktimë e këtij procesi gjatë këtij mandati”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se me këtë vendim nuk është i sigurt se a do të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, komuniteti egjiptian, të cilit i takon vazhdon ta ketë gjendjen e rëndë ekonomike.