image Berisha: Rama e ka harruar samitin, po merret me protestën tonë

Shqipëri

Berisha: Rama e ka harruar samitin, po merret me protestën tonë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, po mban një takim me banorë të degës 2 në kryeqytet. Ai është ndalur edhe tek ngjarja historike e ditës së nesërme, ku liderët e BE mbërrijnë në Tiranë për Samitin me Ballkanin Perëndimor.

Ai u shpreh se qeveria ka harruar të merret me samitin, duke komentuar protestën e opozitës.

“Mjafton të hidhni sytë në një kohë kur ne japim imazhet e qytetarëve që votojnë, imazhet e krahut tjetër janë tonelatat e kokainës, dëshmitë për porosi vrasjes nga eksponentë kryesorë të partisë së shpellës. Janë pra një botë krejtësisht tjetër në të cilën ekziston krimi, droga, vesi, intriga, çdo gjë, por jo vullneti i anëtarëve të saj, jo vota e lirë, jo dinjiteti i anëtarëve të saj. Ne do të vazhdojmë, do të udhëheqim me shembullin tonë, në mënyrë që të bindim çdo shqiptar që të ardhme pa votën nuk ka.

Por sot këtu jemi mbledhur për një eveniment tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, për protestën e nesërme në ora 12:00, për të cilën po bëhet një betejë e madhe mediatike, aq sa edhe ata që mirëpresin samitin, këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për shqiptarët, kanë harruar samitin, dhe merren me protestën tonë.

Në thellësi, po ta marrësh, në fakt ata kanë frikë samitin, Europën, vlerat e saj. Të ngujuar tashmë në kodin e mafias, praktikat e mafias, ata çdo lloj drite i tmerron. Ndaj dhe po të keni vënë re ju, ai që mund ta quajmë me plot gojë kryeministri mafioz i shqiptarëve, hajduti i parë i Shqipërisë, ai e ka humbur toruan dhe vetëm merret me postblloqe dhe informacione se këtë rrugë po e bllokojmë, atë rrugë s’do e lejojmë, atë shesh do e bllokojmë”, tha Berisha.

/GazetaSinjali/